
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka paralajmëruar masa të reja në fushën e arsimit.
Meloni tha se do të vendoset një kufi për numrin e nxënësve të huaj në klasat e shkollave italiane dhe do të ndalojë përdorimin e burkave dhe nikabeve në shkolla.
Deklaratat u bënë gjatë festivalit kombëtar të të rinjve Fenix, ku Meloni tha se masat do të paraqiten së shpejti në Këshillin e Ministrave.
“Fëmijët italianë nuk mund të ndihen si pakicë në klasë. Është e paimagjinueshme që në një klasë italiane, fëmijët italianë të ndihen të mbyllur sepse janë bërë pakicë”, deklaroi kryeministrja.
Meloni tha se një tjetër masë do të parashikojë ndalimin e burkave dhe nikabeve në shkolla, duke theksuar se barazia mes burrave dhe grave është një parim që, sipas saj, duhet të respektohet si në shkolla, ashtu edhe në hapësirat publike.
Gjatë fjalimit, kryeministrja foli edhe për reformimin e arsimit profesional. Ajo njoftoi një ligj që do të përdorë termin “liceo” edhe për institutet tekniko-profesionale, me synimin për të theksuar vlerën e barabartë të këtyre formave të arsimit.
Meloni iu përgjigj gjithashtu kritikave të opozitës për financimin e universiteteve. Ajo deklaroi se fondi për universitetet është rritur nga 8.6 miliardë në 9.4 miliardë euro që nga ardhja në pushtet e qeverisë së saj.
Një pjesë e fjalimit iu kushtua edhe përdorimit të rrjeteve sociale nga të rinjtë. Meloni kërkoi që platformat të mbajnë më shumë përgjegjësi për mekanizmat që krijojnë varësi te të miturit, ndërsa shprehu rezerva ndaj masave që do të kërkonin identifikimin e detyrueshëm të moshës së çdo përdoruesi.
Në prag të fushatës zgjedhore, kryeministrja u bëri thirrje të rinjve të mos marrin si të mirëqenë informacionet që shohin në internet dhe të tregohen veçanërisht të kujdesshëm ndaj përmbajtjeve të rreme dhe të manipuluara./Versus.al

