E diel, 20 Shtator 2026 E-Zone deri në 21:00 Në vijim ora 21:00: Film TV Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Video · Ekonomi

Shqipëria drejt modelit grek të uljes së çmimeve, nisin bisedimet me supermarktet

Qeveria shqiptare ka publikuar nisëm “Pasqyra e Çmimeve” me synim ofrimin e një transparence më të madhe të çmimeve që ofrojnë bizneset në treg. Portali me të njëjtin emër do të jetë një platformë online, ku cilido mund të informohet mbi një mori produktesh si vendase dhe importimi. Ministrja e Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, në një intervistë për gazetaren Rajmonda Lajthia ka ndarë disa detaje të nismës dhe arsyet pse qeveria vendosi të fokusohet te çmimet.

“Ne kemi qenë të shqetësuar për nivelin e çmimeve që në fillim të vitit. Ndonëse inflacioni nuk është në nivele shqetësuese, disa çmime kanë mbetur të larta. Ndërkohë në dy vitet e fundit kemi parë zhvlerësim të monedhës europiane, çka praktikisht i barë importet me të lira, por që ky fenomen nuk është reflektuar tek çmimi fundor. Për këtë arsye ne vendosëm që të krijojmë këtë platformë, e cila në finale do të shërbejë si një mekanizëm për më shumë transparencë. Për rrjedhojë do të ofrojë edhe më shumë konkurrencë“, – tha Ibrahimaj.

Sipas ministres në platformë është parashikuar që të evidentohet çmimi që në burim. Nëse është mall vendi do të nis transparenca nga prodhimi deri në shitje. Nëse është mall importi do të nis që nga dogana deri në treg. Fillimisht në platformë do të evidentohen produktet e shportës, më pas do të vijohet edhe me produkte industriale. Ministrja njoftoi se për të realizuar këtë ide kanë nisur bisedimet me supermarketet e mëdha në treg.

“Jemi në bisedime me supermarketet e mëdha që kanë shtrirje në të gjitha qytetet. Po kërkojmë se kush është produkti ushqimorë më i shitur si prodhim vendas dhe importi, në mënyrë që të ofrojmë transparencën e çmimit. Hapi i dytë do të jetë një analizë e marzheve të fitimit bruto dhe neto. Kjo analizë do të na mundësojë të kuptojmë se pse çmimi në finale është i lartë dhe mbi këtë bazë ne do të ndërmarrim politikat e duhura, që do të ndikojnë zbutjen e situatës”, – sqaroi ministrja.

Reklamë

Një skemë e ngjashme erdhi nga shteti fqinjë Greqia, ku qeveria gjeti dakordësinë me supermarketet për të ulur çmimet për mbi 1600 produkte. A po shkon dhe Shqipëria në të njëjtin drejtim?  

“Ne do të shkojmë në atë drejtim. Kur të kristalizohet lista e produkteve, në bisedim me furnitorët, marketet, ne kemi në plan të nisim një bisedë për përcaktimin e disa produkteve, për të konkretizuar një skemë të ngjashme si Greqia”, – përfundoi Ibrahimaj.

Sipas të dhënave kjo platformë e çmimeve do të jetë gati brenda muajit shtator.

/vizionplus.tv

Më shumë video

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.