Juventusi rikthehet te fitorja në kampionat me Zhegrovën në fushë

Juventusi është rikthyer te fitorja në kampionat, duke mposhtur Atalantën me rezultatin 2-0 në Allianz Stadium.
Bardhezinjtë zhvilluan një ndeshje të kontrolluar dhe arritën të sigurojnë tre pikët, duke lënë pas zhgënjimin e sfidës së fundit.
Ndeshja u zhbllokua nga Francisco Conceiçao, i cili i dha Juventusit avantazhin dhe ndezi atmosferën në Torino. Atalanta u përpoq të reagonte, por vendasit u mbrojtën mirë dhe nuk lejuan që kundërshtari të gjente rrugën e rrjetës.
Në pjesën e dytë, Juventusi vazhdoi të menaxhonte avantazhin, ndërsa Gleison Bremer vulosi fitoren me golin e dytë, duke i dhënë skuadrës më shumë qetësi në minutat e fundit.
Në këtë sfidë u aktivizua edhe Edon Zhegrova, i cili hyri në pjesën e dytë dhe solli energji në krahun ofensiv, ku edhe asistoi në golin e dytë. Me këtë sukses, Juventusi merr një fitore të rëndësishme dhe nis të ndërtojë sërish ritmin në kampionat.




