
Roberto Mollo, 35-vjeçari italian që gjatë natës qëlloi me armë ndaj një grupi personash që kishte hyrë në pronën e tij në Baldissero d’Alba, në provincën e Cuneos ka dhënë dëshminë e tij në polici.
Nga të shtënat mbeti i vrarë një 36-vjeçar me origjinë shqiptare. Mollo, i cili punon si shofer kamioni, ndodhet nën hetim në gjendje të lirë për vrasje.
Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes nga hetuesit, 35-vjeçari ndodhej në pjesën e banueshme të shtëpisë së familjes, e cila është në rikonstruksion, kur gjatë natës dëgjoi zhurma. Ai mori pistoletën që e posedonte në mënyrë të ligjshme dhe doli për të kontrolluar se çfarë po ndodhte.
Përballë tij, sipas hetimeve, ndodhej një grup prej të paktën katër ose pesë personash. Mollo qëlloi disa herë në errësirë, duke goditur 36-vjeçarin, ndërsa pjesëtarët e tjerë u larguan me shpejtësi.
Hetuesit dyshojnë se grupi kishte hyrë në pronë për të vjedhur materiale ndërtimi, vegla pune dhe sende të tjera që ndodheshin jashtë objektit. Megjithatë, nga kontrollet pas ngjarjes nuk rezulton të jetë marrë asnjë send.
Pas të shtënave, Mollo telefonoi vetë karabinierët dhe shërbimet e emergjencës. Ekipet mjekësore tentuan t’i jepnin ndihmën 36-vjeçarit, por ai nuk mundi të mbijetonte.
Pistoleta ishte e regjistruar dhe mbahej në mënyrë të ligjshme. Autoritetet po verifikojnë tashmë rrethanat dhe mënyrën se si arma është përdorur në pronën që ndodhej në rikonstruksion./Versus.al
Ndërkohë, karabinierët vijojnë kërkimet për personat e tjerë që ndodheshin në grup. Ata po hetojnë edhe nëse pas largimit nga prona, të dyshuarit kanë përdorur një automjet.
Hetimi po drejtohet nga Prokuroria e Astit, ndërsa Mollo vijon të jetë nën hetim në gjendje të lirë.
35-vjeçari, i cili më parë ka punuar si hidraulik, jeton me nënën e tij rreth 200 metra larg pronës ku po kryheshin punimet./Versus.al

