Lajmi i fundit

Protesta e 113 kundër Edi Ramës/ Mbyllen fjalimet para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në Tiranë

VIDEO/ Thirrja e qytetarit: Ta shërojmë Shqipërinë nga korrupsioni. Fatin tonë e vendosim ne

20:32, 20/09/2026
ZMADHO TEKSTIN
+ Aa -

Protesta e pandërprerë para Kryeministrisë, ku kërkohet dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ka hyrë në ditën e 113-të.

Gjatë protestës, një prej qytetarëve mbajti një fjalim, duke e cilësuar qëndresën si një përballje të shoqërisë shqiptare me atë që ai e përshkroi si ‘një sistem mbytës dhe korruptiv’.

Sipas tij, sistemi politik ka ndikuar në largimin e shqiptarëve nga vendi dhe ka krijuar përçarje mes atyre që kanë mbetur.

‘Vëllezër dhe motra, bashkëluftëtarë të këtij udhëtimi prej 113 ditësh.

Kjo protestë është një nga ngjarjet më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare. Sepse ka në thelb luftën e kësaj shoqërie kundër një sistemi mbytës.

Një sistem që ka 36 vite që vetëm forcohet dhe vetëm hyn thellë e më thellë në venat e kësaj shoqërie.

Një sistem korruptiv që po mban peng çdo dëshirë tonën për të jetuar në një Shqipëri të denjë.

Një sistem korruptiv që rrënjët i ka në parlament.

Ne në gjithë këto vite jemi munduar të bëjmë më të mirën për këtë vend, por ky sistem ka ndryshuar rrënjësisht vullnetin tonë, duke na marrë përmes pushtetit të dëgjohemi dhe aftësinë për të bërë bashkë si shoqëri.

Përmes pushtetit, ata i kanë detyruar shqiptarët të largohen nga vendi i tyre.

Kanë përçarë ata që kanë ngelur këtu duke i përndarë përmes bindjeve, duke u ndërtuar një jetë shumë e vështirë dhe duke i bërë të vrapojnë pas nevojave.

I kanë bërë shqiptarët të harrojnë shpresën dhe e kanë kthyer heshtjen tonë në armën e tyre më të fortë.

Ja ku jemi sot.

Në gjithë këto vite, ata që kanë vendosur për fatin e Shqipërisë janë vetëm politikanët e kriminelët.

Vendi nuk është zhvilluar drejt mirëqenies, por drejt interesave të këtyre klikave mafioze.

Shqiptarët nuk janë trajtuar si zot të këtij vendi, por sikur fati i keq i solli të jetojnë këtu.

Këto 30 e ca vite kanë qenë grada më e lartë e këtij sistemi korruptiv.

Më mirë se kaq ky sistem korruptiv nuk ka ku të shkojë më.

Ndërsa për shqiptarët, më keq nuk ka.

Jemi përballë faktit që nëse ky sistem vazhdon, ne do të paguajmë me breza të tëra çdo skandal që këta prodhojnë.

Do të jetojmë sipas mënyrës që këta përcaktojnë dhe nuk do të kemi mundësinë kurrë ta ndryshojmë këtë realitet, sepse ky sistem na ka vrarë besimin mes nesh dhe na ka vënë në radhë si pengje për karriget e atyre që kanë ndërtuar këtë sistem.

Ky sistem është një gangrenë që ka hyrë thellë në mendjen e Shqipërisë.

Dhe kjo gangrenë kërkon ndërhyrje.

Por ndërhyrja nuk duhet të jetë vdekjeprurëse.

Ndërhyrja duhet të jetë shëruese.

Gangrena do të hiqet me çdo kusht.

Por më e rëndësishmja, mendja e kësaj shoqërie duhet të jetë e pastër, të kurrë të mos harrojë rrezikun që kjo gangrenë po i shkakton.

Në gjithë këto vite, ne jemi bërë mish për top për rotacione politike.

Dhuna e instrumentuar ka qenë gjithmonë mjet për marrjen e pushtetit, për zbatimin e pushtetit dhe për interesin e politikanëve.

Por në çdo rast, dëmin e kanë paguar vetëm shqiptarët.

Dhe në gjithë këto vite, çdokush ka të drejtën e Zotit të ndihet i revoltuar dhe t'i bëjë shkrumb e hi këtij sistemi, jo të presë që t'i japë mandatin e radhës.

Por nuk do të harrojmë kurrsesi që kjo luftë nuk është vetëm kundër një personi, por është kundër një mendësie që rrënjët i ka shumë më thellë se te një individ.

Dhe kjo mendësi luftohet çdo ditë me çdo lloj mënyre.

Dhe pikërisht kjo mendësi mund të sjellë që përmes dhunës të bëhemi përsëri pre e interesave të tyre.

Ne duhet ta luftojmë me çdo kusht këtë sistem korruptiv.

Por fillimisht duhet të shohim qartë se kush janë ata që e kanë krijuar, kush po e mban gjallë dhe çfarë e ka ndaluar rrugën drejt evolucionit.

Kjo protestë ka sjellë fitore të mëdha në këto 113 ditë.

Jemi sot të aftë të vijmë në shesh për veten tonë dhe jo për fytyrën e dikujt tjetër.

Jemi sot të aftë të bëhemi bashkë përtej bindjeve që na bëjnë ndryshe.

Jemi sot të aftë të kthejmë në jetë Shqipërinë që ëndërrojmë.

Jemi sot të aftë të luftojmë për Shqipërinë dhe jo për politikanët.

Kjo protestë i ka lejuar qytetarëve të jenë sovrani i vendit.

Të dalin dhe të vendosin vetë për fatin e tyre.

Me të vërtetë, vendi ynë është në një depresion social, si pasojë e një sistemi që ka marrë peng vullnetin e shqiptarëve.

Por në këtë problem, ne do ta luftojmë duke u bërë të gjithë bashkë si qytetarë të lirë.

Prandaj ta vazhdojmë këtë protestë me çdo kusht, ta rrëzojmë këtë sistem që na ka marrë peng, ta shërojmë Shqipërinë nga sëmundja e korrupsionit dhe të shkojmë drejt asaj Shqipërie të lirë dhe të zhvilluar, ku fatin tonë e vendosim ne dhe jo interesat e politikanëve.

Zoti e bekoftë Shqipërinë dhe shqiptarët!’, tha protestuesi gjatë fjalës së tij.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Denonco