Dy goditje dhe fitore! Egnatia mposht Partizanin 2-1

Egnatia ka siguruar një fitore të rëndësishme në javën e pestë të Superiores, duke mposhtur Partizanin me rezultatin 2-1 në “Arena Egnatia”.
Kampionët reaguan pas humbjes ndaj Elbasanit dhe rikthyen ritmin në kampionat.
Rrogozhinasit e zhbllokuan takimin në minutën e 31-të, kur Loukili dërgoi topin në rrjetë dhe i dha avantazhin skuadrës së Nevil Dedes. Egnatia e mbylli pjesën e parë në avantazh dhe u shfaq më e qetë në administrimin e lojës.
Në pjesën e dytë, vendasit goditën sërish. Albanese realizoi në minutën e 71-të, duke çuar rezultatin në 2-0 dhe duke i dhënë Egnatias një avantazh të rëndësishëm.
Partizani reagoi vetëm dy minuta më vonë. Murataj, në minutën e 73-të, ngushtoi diferencën dhe riktheu shpresat e “Demave të Kuq”. Në minutat e fundit, Partizani kërkoi me ngulm barazimin, por Dajsinani bëri pritje vendimtare dhe Egnatia ruajti avantazhin deri në fund.
Me këtë sukses, Egnatia konfirmon startin pozitiv të sezonit, ndërsa Partizani pëson një tjetër humbje pas disfatës 2-4 ndaj Dinamos në javën e kaluar.




