Food & Drink

Nga byreku te kebapi, kuzhina ballkanike po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje jashtë tij!

Për shumë njerëz që janë rritur në Ballkan, një tavolinë me burek, sarma apo ajvar nuk ka asgjë ekzotike. Por jashtë rajonit, kuzhina ballkanike po fillon të marrë një vëmendje tjetër. Financial Times i ka kushtuar së fundmi një analizë mënyrës se si një brez i ri kuzhinierësh dhe autorësh po prezanton ushqimin e Ballkanit si një kulturë gastronomike shumë më komplekse sesa etiketa e vjetër e “ushqimit rustik”.

Kuzhina e rajonit është formuar nga shekuj migrimesh dhe ndikimesh osmane, mesdhetare, sllave dhe të Europës Qendrore. Pikërisht për këtë arsye, një recetë mund të ndryshojë ndjeshëm vetëm duke kaluar nga një vend në tjetrin, ndërsa shumë pjata kanë versione të ndryshme dhe histori që ndërthuren. Autorë dhe kuzhinierë të rinj po përpiqen ta tregojnë pikërisht këtë kompleksitet, në vend që gjithë rajoni të futet nën një identitet të vetëm gastronomik.

Rritja e turizmit në vende si Shqipëria, Mali i Zi dhe Serbia po ndihmon gjithashtu. Për një vizitor të huaj, ushqimi po bëhet një nga mënyrat më të drejtpërdrejta për të kuptuar kulturën lokale, ndërsa produkte si bureku dhe ajvari po bëhen më të njohura edhe jashtë Ballkanit. Në Londër, për shembull, pjata të frymëzuara nga traditat e rajonit po gjejnë vend në restorante dhe projekte gastronomike që i prezantojnë ato për një publik ndërkombëtar.

Por ndoshta elementi që e dallon më shumë kuzhinën ballkanike është marrëdhënia me mikpritjen. Ushqimi këtu rrallë shihet vetëm si diçka që konsumohet; ai lidhet me familjen, tavolinën e përbashkët dhe insistimin pothuajse të pashmangshëm që mysafiri të hajë edhe pak. Pikërisht këtë dimension emocional po përpiqen të ruajnë edhe kuzhinierët që po i prezantojnë këto receta në një kontekst modern.