Shkarkimi i Hysenit, Balla: PS nuk bën avokatin e askujt, përballja me drejtësinë është çështje personale e gjithsecilit

Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, ka reaguar mbrëmjen e sotme pas ngjarjeve të ditës, siç ishte masa e sigurisë “arrest në shtëpi” e lëshuar nga SPAK për ish-drejtoreshën e SHISH-it, Vlora Hyseni.
Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Balla thekson se shumica qeverisëse ka vetëm një standard: të mos hyjë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë.
Sipas tij, për PS-në nuk ka rëndësi emri. Kushdoqoftë, duhet të përballet personalisht me drejtësinë.
Postimi i Ballës:
Shumica jonë qeverisëse i mbetet besnike qëndrimit standard për të mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë. Kushdo qoftë duhet të përballet personalisht me drejtësinë dhe të marrë avokatin e vet. Partia Socialiste, pra shumica qeverisëse e këtij vendi, nuk bën avokatin e askujt.
Siç njoftoi menjëherë Kryeministri Edi Rama shkarkimi nga detyra i drejtores së shërbimit u kry, për t’i hapur rrugë një drejtuesi të ri.




