Në hetimi për trafik droge, aktorja e famshme ndalohet sapo hyn në aeroport

Aktorja e njohur turke Afra Saraçoğlu është ndaluar në Aeroportin e Stambollit pas kthimit nga Franca, pasi ndaj saj ishte lëshuar një urdhër ndalimi në kuadër të një hetimi të Prokurorisë së Bakırköy-t. Hetimi lidhet me dyshime për përdorim dhe sigurim të lëndëve narkotike, shkelje të privatësisë, shantazh dhe ndërmjetësim prostitucioni.
Saraçoğlu u dërgua fillimisht për kontroll shëndetësor në një spital në Stamboll dhe më pas u transferua në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku iu kryen procedurat përkatëse. Pas përfundimit të tyre, ajo u dërgua për të dhënë deklaratën pranë autoriteteve.
Kompania e menaxhimit të aktores njoftoi më pas se Saraçoğlu ishte liruar. Në deklaratë thuhej se ajo, pas përfundimit të udhëtimit jashtë vendit, ishte paraqitur pranë autoriteteve dhe kishte përfunduar procedurat pranë mjekësisë ligjore dhe prokurorisë.

Hetimi është pjesë e një operacioni më të gjerë të autoriteteve turke ndaj personave të njohur, mes tyre aktorë, këngëtarë, biznesmenë dhe figura të rrjeteve sociale. Në dy hetime të veçanta janë lëshuar urdhra ndalimi për 24 persona, ndërsa 21 prej tyre janë ndaluar.
Saraçoğlu kishte deklaruar më herët në rrjetet sociale se ndodhej jashtë Turqisë për një udhëtim pune dhe se do të kthehej në vend për të dhënë deklaratën e saj. Hetimi vijon nga autoritetet turke, ndërsa ndaj aktores nuk është bërë i ditur ndonjë vendim gjyqësor përfundimtar lidhur me akuzat që po hetohen.
/vizionplus.tv



