Blerja e shtëpive me 60 mijë euro, Ibrahimaj takon ndërtuesit: Qytetarët do të marrin kredi me interes zero

Shtëpi me vlerë 60 mijë euro ka, por ato ndodhen kryesisht në periferi dhe janë me sipërfaqe të vogla. Në një takim të ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, me Shoqatën e Ndërtuesve dhe agjentët imobiliarë, u pohua se ekzistojnë banesa me këtë vlerë, për të cilat, sipas skemës së re të qeverisë, përfituesit do të mund të marrin kredi me 0% interes.
“Ka pasur dhe debate, me pikëpyetjen: a ka të disponueshme të tilla apartamente në qytetin e Tiranës? Në fakt, ne e prezantuam këtë pas diskutimeve që patëm me Shoqatën e Ndërtuesve, ku në rrethinat e Tiranës kemi marrë garanci që ekzistojnë të tilla apartamente që janë me sipërfaqe të ulëta dhe me një çmim të ulët”, tha Ibrahimaj.
Sipas ministres, kjo nismë vjen për ti bërë ballë rritjes së vazhdueshme të çmimeve të banesave në kryeqytet, të cilat po bëhen gjithnjë e më të papërballueshme për qytetarët.
“Ky ndryshim vjen qoftë si pasojë e nevojës që tregu ka, qoftë si pasojë e rritjes së çmimeve, kryesisht në qytetet kryesore të vendit, në qendrat e qyteteve kryesore të vendit, por edhe bazuar në gjithë modelet që ne kemi parë në vende të tjera, ku kujdesi i politikave të strehimit është jo vetëm për këto kategori në nevojë, por edhe për shtresa të tjera, të cilat mund të kenë nevojë për mbështetje”, deklaroi Ibrahimaj.
Sipas ministres, reforma parashikon mbështetje për të siguruar apartamente edhe me vlerë mbi 60 mijë euro. Blerja do të mbulohet 100% përmes kredisë bankare, ndërsa shteti do të subvencionojë pjesën e normës së interesit mbi 3%.
Kufiri maksimal i vlerës së apartamentit është ende në diskutim, ndërsa orientimi është rreth 200 mijë euro. Kjo skemë i dedikohet të punësuarve që kanë nisur karrierën e tyre, si dhe çifteve dhe familjeve të reja.




