Reduktohet prodhimi i misrit, fermerët: Shkak mungesa e shirave dhe rritja e kostove

Fermerët e disa zonave në Fier, kanë mbyllur sezonin e misrit me rendimente më të ulëta dhe kosto më të larta. Mungesa e reshjeve, problemet me vaditjen dhe rritja e çmimit të naftës e plehrave kimike kanë ndikuar drejtpërdrejt në prodhim.
Fatmir Nako, i cili këtë vit mbolli 15 hektarë me misër, thotë se mori rreth 7 tonë për hektar, nga 10 tonë që kishte marrë një vit më parë. ndërsa çmimi i shitjes ka zbritur nga rreth 33 mijë në 30 mijë lekë kuintali.
“Krahas rendimentit të pakēt dhe çmimit më të ulēt të shitjes, kemi edhe me kostot e larta të prodhimit. Nafta, plehrat kimike dhe punimet mekanike kanë rritur shpenzimet, ndërsa mungesa e ujit për vaditje ka rënduar më tej situatën”.
Një tjetër problem mbetet mungesa e certifikatave të pronësisë dhe vështirësitë për përfitimin e subvencioneve, veçanërisht për tokat e marra me qira.
“Këto problematika i kanë detyruar disa prej tyre të reduktojnë sipërfaqet e mbjella”.
Sipas fermerëve, me çmimin aktual të misrit, pas kostove të prodhimit, fitimi mbetet minimal. Ata thonë se në këto kushte, kultivimi i sipërfaqeve të mëdha po bëhet gjithnjë e më i vështirë, ndërsa për sezonin e ardhshëm nuk përjashtohet një tjetër reduktim i tokave të mbjella.




