SAPC në Tiranë, integrimi në BE dhe projekti në Zvërnec në fokus të diskutimeve, eurodeputetët vizitojnë zonën me Ballën

Komiteti Parlamentar i Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri (SAPC) zhvilloi në Tiranë takimin e 22-të, ku në fokus ishin procesi i integrimit europian, reforma në drejtësi, lufta kundër korrupsionit, turizmi dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
Në deklaratën e përbashkët, përfaqësuesit e Parlamentit Europian dhe Kuvendit të Shqipërisë vlerësuan hapjen e negociatave për gjashtë grupkapituj dhe mbylljen e përkohshme të tre kapitujve. U theksua ambicia e Shqipërisë për të përmbyllur negociatat e anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.
Në fokus ishte edhe forcimi i shtetit të së drejtës, pavarësia e gjyqësorit dhe rezultatet e strukturave kundër korrupsionit, përfshirë SPAK. SAPC kërkoi vijimin e reformave dhe ruajtjen e pavarësisë së institucioneve të drejtësisë.
Në kuadër të takimit, anëtarët e delegacioneve zhvilluan edhe një vizitë në Vlorë dhe Zvërnec, ku u diskutua zhvillimi i turizmit dhe ndikimi i investimeve në ekonomi, së bashku me detyrimin për mbrojtjen e zonave me vlera ekologjike.
Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se gjatë vizitës në Zvërnec, përfaqësuesit e qeverisë dhe agjencive përgjegjëse informuan delegacionin se angazhimet mjedisore për zhvillimin e turizmit synojnë të përmbushin ose tejkalojnë kërkesat e Bashkimit Europian.
Sipas Ballës, projekti i planifikuar në këtë zonë synon të jetë një shembull i investimeve të mëdha ndërkombëtare të realizuara në përputhje me standardet europiane, duke kombinuar investimin, përgjegjësinë mjedisore dhe krijimin e vlerës për komunitetin dhe ekonominë vendase.
Balla theksoi gjithashtu se projekti parashikon mbrojtjen e vijës bregdetare dhe ekosistemeve natyrore, ndërsa përfitimet ekonomike synohet të gjenerohen përmes punësimit vendas, zhvillimit të aftësive profesionale, përfshirjes së bizneseve shqiptare dhe rritjes së aktivitetit ekonomik në rajonin e Vlorës. Sipas tij, rëndësi e veçantë do t’u kushtohet sipërfaqeve të gjelbra, mbjelljeve dhe ruajtjes së karakterit natyror të zonës.
/vizionplus.tv




