web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Agasi, Veliaj, Proda, Hyseni; Harta e një shteti që po shpërbëhet

22 Shtator 2026, 16:30, Editorial CNA

Kryeministri Edi Rama e shkarkoi nga detyra drejtuesen e SHISH-it, Vlora Hyseni, nga Nju Jorku, sapo mësoi se ndaj saj është vendosur arresti shtëpiak, pa pritur të kthehet në Tiranë, pa pritur zhvillimin e çështjes dhe pa bërë asnjë nga ato ceremonitë e mëdha për prezumimin e pafajësisë që na i servir sa herë i duhet politikisht.

Për drejtoren e SHISH-it rregulli është i qartë, arrest shtëpie dhe menjëherë jashtë detyrës, ndërsa për Erion Veliajn kemi një univers tjetër.

Veliaj është në burg dhe jo në arrest shtëpie, vazhdon të jetë kryetar i Bashkisë së Tiranës, vazhdon të firmosë aktet e bashkisë nga qelia, nuk pranon të japë dorëheqjen dhe nuk pranon as të delegojë firmën, ndërsa kryeministri nuk kërkon largimin e tij, por del publikisht të shpjegojë se Tirana është “pa kokë” dhe se qyteti po vuan për shkak të vendimit të drejtësisë.

Ky nuk është më standard i dyfishtë, është një shtet që ka humbur standardin e vet.

Dhe pastaj është Ergys Agasi, emri që e bën gjithë këtë histori edhe më të rëndë. Agasi dhe Veliaj kanë një miqësi të njohur, një marrëdhënie që është forcuar edhe më shumë pas arrestimit të Veliajt, ndërsa sot Agasi është në qendër të një dosjeje që ka filluar të prekë njerëz në nivele të larta të shtetit.

Në këtë histori del edhe Ilir Proda, me të cilin Agasi ka pasur marrëdhënie të njohura, ndërsa hetimi i SPAK-ut tashmë ka prekur edhe ish-drejtorin e Policisë së Shtetit. Dhe në krah të tyre del Vlora Hyseni, drejtoresha e SHISH-it, pikërisht në një dosje ku emri i Agasit është në qendër.

Kjo është ajo që shqiptarët kanë përpara syve, Agasi me Veliajn, Agasi me Prodën, Proda në raport me Veliajn, Hyseni në dosjen e Agasit dhe Rama që sillet ndryshe me secilin prej tyre.

Por historia bëhet edhe më tronditëse kur kujton atë që ndodhi me oficerin Klidi Proko. Kur Veliaj u arrestua, Proko ishte oficeri që guxoi t’i sekuestronte telefonin në zyrën e tij, një veprim që më pas u bë pjesë e përplasjes gjyqësore rreth provave të hetimit, dhe të nesërmen ai u transferua nga Tirana në Shkodër me urdhër të Ilir Prodës. Mund të na thonë se ishte thjesht transferim administrativ, mund të na japin çfarëdo shpjegimi, por pyetja mbetet e pamëshirshme, çfarë i ndodhi këtij oficeri pikërisht pasi preku telefonin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës? Sepse kur një oficer që prek një pushtetar të fuqishëm përfundon menjëherë i transferuar larg Tiranës, ndërsa pushtetari qëndron në zyrë edhe nga burgu, qytetari nuk ka më përballë një shtet normal, por një sistem ku disa njerëz duket se kanë më shumë mbrojtje se institucionet që duhet t’i kontrollojnë.

Dhe tani kthehemi te Vlora Hyseni. Rama thotë se askush nuk është mbi ligjin dhe se drejtësia duhet të hetojë këdo, pavarësisht funksionit, por sapo drejtësia prek drejtoren e SHISH-it, ai e nxjerr nga detyra me shpejtësi rrufeje, ndërsa kur drejtësia prek mikun e tij politik Erion Veliaj, i njëjti kryeministër nuk sillet si garant i funksionimit të shtetit, por si avokat politik i pasojave të vendimit gjyqësor. Këtu nuk ka më nevojë për fjalime për Reformën në Drejtësi, sepse standardi shihet me sy të lirë. Hyseni arrestohet në shtëpi dhe humbet detyrën, Veliaj arrestohet në burg dhe ruan detyrën, ndërsa Rama e kthen burgimin e tij në problem të Tiranës dhe në argument politik kundër mënyrës se si po vepron drejtësia.

Ky është problemi i vërtetë dhe është shumë më i madh se Vlora Hyseni, Erion Veliaj apo Ergys Agasi.

Problemi është se shteti shqiptar është katandisur në një sistem ku marrëdhëniet personale dhe politike duken më të forta se institucionet, ku njëri shkarkohet në sekondë dhe tjetri mbahet në detyrë nga qelia, ku një oficer që zbaton një veprim hetimor ndaj kryetarit të bashkisë përfundon i transferuar dhe ku kryeministri, në vend që të kërkojë që institucionet të funksionojnë njësoj për të gjithë, zgjedh se për kë duhet të shqetësohet dhe për kë duhet të heshtë.

Prandaj deklarata e Ramës nga Nju Jorku për “askënd mbi ligjin” tingëllon sot si një tallje me inteligjencën e shqiptarëve. Askush mbi ligjin, por disa mbi detyrën. Askush mbi ligjin, por disa që vazhdojnë të firmosin nga burgu.

Askush mbi ligjin, por njëri shkarkohet sapo arrestohet dhe tjetri mbrohet politikisht edhe pasi gjykatat e kanë lënë në burg. Askush mbi ligjin, por kur një oficer prek telefonin e kryetarit të bashkisë, një ditë më pas ai del nga Tirana.

Kjo nuk është më thjesht hipokrizi politike. Kjo është shpërbërje e shtetit para syve tanë. Dhe kur në qendër të kësaj harte dalin njëri pas tjetrit Agasi, Veliaj, Proda dhe Hyseni, ndërsa mbi të gjithë qëndron një kryeministër që përdor një standard për njërin dhe një standard tjetër për tjetrin, atëherë shqiptarët kanë të drejtë të pyesin jo nëse shteti po dobësohet, por nëse ka mbetur ende ndonjë shtet për t’u dobësuar.

Rama mund të vazhdojë të flasë nga Nju Jorku për Europën, Reformën në Drejtësi dhe barazinë para ligjit, por Shqipëria nuk gjykohet nga fjalët që thuhen në Asamblenë e OKB-së. Shqipëria gjykohet nga ajo që ndodh këtu, në Tiranë, kur një drejtoreshë e SHISH-it arrestohet dhe shkarkohet, ndërsa një kryetar bashkie që ndodhet në burg vazhdon të firmosë nga qelia, kur një oficer që i sekuestron telefonin zhvendoset nga Tirana dhe kur një mik i kryetarit të bashkisë ndodhet në qendër të një dosjeje që po prek gjithnjë e më shumë hallka të shtetit.

Kjo është tabloja e sotme, jo ajo që Rama dëshiron të tregojë nga Nju Jorku. Një shtet ku ligji nuk duket më si një vijë e drejtë, por si një gomë që zgjatet ose shkurtohet sipas emrit të personit që ndodhet përballë saj. Dhe kjo është pikërisht arsyeja pse sot nuk mjafton të thuhet se shteti po dobësohet.

Shteti është shpërbërë dhe pushteti po përpiqet të na bindë se rrënojat janë ende një ndërtesë./CNA 





Lajmet e fundit nga