Integrimi/ Takimi i Komitetit Parlamentar Shqipëri-BE, Gjipali për Vizion Plus: Çështjet mjedisore në vëmendjen e eurodeputetëve
Drejtuesi i Lëvizjes Europiane në Shqipëri, Gledis Gjipali, komentoi në një lidhje të drejtpërdrejtë për Vizion Plus ecurinë e procesit të integrimit europian të Shqipërisë, pas takimeve dyditore të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit Shqipëri-BE.
Duke folur për rolin e këtij komiteti, Gjipali u shpreh se ai është një instrument i rëndësishëm për kontrollin parlamentar të procesit të integrimit. “Është një instrument i cili ndihmon vendet që synojnë anëtarësimin për t’u përgatitur me kontrollin parlamentar”, tha Gjipali, duke shtuar se çështjet e ngritura nga eurodeputetët mund të kthehen më pas në detyra për Komisionin Europian apo të ndiqen nga vendet anëtare.
Një vëmendje të veçantë në takimet e fundit mori edhe vizita e komitetit në Zvërnec. Sipas Gjipalit, kjo “tregon interesin e Parlamentit Europian, pra të këtij komiteti, për çështjet mjedisore dhe për problematikën e ngritur mbi projektin e Zvërnecit”. Ai theksoi se çështjet mjedisore janë përmendur edhe në deklaratat e mëparshme të komitetit dhe mbeten një pikë e rëndësishme në raport me Shqipërinë.
Sa i përket negociatave të anëtarësimit, Gjipali tha se Shqipëria ka shënuar përparim, por objektivi për mbylljen e negociatave në vitin 2027 po bëhet më sfidues.
“Objektivi bëhet gjithnjë e më i vështirë, sepse mbyllja e të gjithë procesit të negociatave në vitin 2027 dhe më pas anëtarësimi në vitin 2030 është gjithnjë e më afër”, u shpreh ai. Gjipali nënvizoi se deri tani janë mbyllur tre kapituj, ndërsa ritmi i mëtejshëm do të varet nga puna për kapitujt e tjerë.
Në lidhje me sfidat që Shqipëria duhet të adresojë, Gjipali përmendi mjedisin, sigurinë ushqimore, transportin, mbrojtjen e konsumatorit dhe zhvillimin rural. “Janë kapituj teknikë që janë të vështirë sepse kërkojnë investime dhe rritje kapacitetesh”, tha ai, duke theksuar se puna nuk kufizohet vetëm te përafrimi i legjislacionit, por edhe te zbatimi i tij. Sipas Gjipalit, zbatimi i legjislacionit europian është thelbësor për të maksimizuar përfitimet nga procesi i integrimit dhe për të përgatitur grupet që mund të preken nga kostot e këtij procesi.
/vizionplus.tv




