web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Përgjimet e Agasit, një thesar në duart e SPAK

22 Shtator 2026, 21:35, Aktualitet CNA

Prokurorët e SPAK, Altin Dumani dhe Bledar Maksuti kërkuan nga Gjykata e Posaçme zbatimin e vendimeve në lidhje me masat e sigurisë duke ndaluar dhe duke ushtruar kontrolle në banesat e disa zyrtarëve.

Me kërkesë të prokurorëve dhe vendim të GJKKO, sot u vendos masa e arrestit në shtëpi për Vlora Hysenin, drejtoreshën e SHISH.

Gjithashtu u ushtruan kontrolle në shtëpinë e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, Ilir Prodës, i cili edhe është marrë në pyetje nga SPAK.

Proda ka qenë një person i akuzuar vazhdimisht për lidhjet e tij me krimin. Gazetarë dhe opozita e kanë akuzuar për lidhje me bandat kriminale të Elbasanit dhe kryesisht me Suel Çelën.

Gjithashtu është cilësuar si një njeri i emëruar në krye të Policisë së Shtetit nga Ergys Agasi, njeriu që CNA dikur e ka quajtur “Hija e Edi Ramës”.

Shpesh në qarqet mediatike, Agasi cilësohej si kreu i “Sindikatës”, si nyja e lidhjes së krimit me Elbasanin dhe Durrësin, por që më pas arriti deri aty sa u kthye në një “guvernator” që emëronte drejtues të lartë në shtet, kryesisht femra. Për më tepër flitet se në videot e SPAK, drejtoreshat e shumta të kryeministrit, nga Hipoteka te AKSHI apo SHISH, paraqisnin forcën te Ergys Agasi.

Ndërkohë po sot është ndaluar një biznesmen dhe një tjetër zyrtar policie, ku ky i fundit dyshohet se prishte prova te laboratori shkencor i Policisë së Shtetit.

SPAK ka në dorë një thesar

Bëhet fjalë për një thesar me materiale, video, audio dhe regjistrime të bëra jo vetëm në zyrën e Ergys Agasit ku paraqisnin forcën zyrtaret e shtetit apo kalohej në të tjera skena dhe skenarë.

Sipas të dhënave ekskluzive që ka siguruar CNA, ka materiale të tjera dhe videopërgjime të cilat janë pjesë e një hetimi të filluar jo vetëm tek AKSHI, ku drejtoresha e këtij institucioni akuzohet për shkelje të barazisë në tenderë, grup kriminal dhe kryerje e veprave penale nga grupi i organizuar kriminal, dhe shumë zyrtarë të tjerë por janë dhe pjesë e një hetimi në lidhje me cigaret kontrabandë në Shqipëri, me një biznes të Ergys Agasit në Elbasan, me zyrtarë të tjerë, me shumë nyje të krijuara nga një individ që cilësohej “i paprekshëm”.

Ndoshta përtej asaj që quhej kryetari i “sindikatës”, ishte dora e një “guvernatori”, megjithëse dhe ky post i ka pak të kufizuara emërimet apo bashkëpunëtorët brenda shtetit.

Ergys Agasi ishte një nga ata që ishte përtej gjithçkaje dhe që sot sipas akuzave të SPAK, lidhet me SHISH, dje lidhej me Hipotekën, lidhet sërish me Policinë e Shtetit, akuzohet për lidhje me grupet kriminale, me ministra dhe zyrtarë të lartë të qeverisë së Edi Ramës. 

Nuk është një goditje kjo e SPAK-ut, ndaj thjesht dhe vetëm një individi por është zbërthimi i plotë i një skeme, ku lidhej shteti me krimin.

Policia e Shtetit, SHISH, bandat kriminale, tenderat, investimet dhe gjithçka tjetër të cilat SPAK jo vetëm ka mundur t’i zbërthejë por i ka të provuara me video, mesazhe dhe me dokumenta zyrtare për gjithçka ka ndodhur që nga emërimet e milionat e eurove të shtetit deri tek bisedat, kërcënimet apo shfaqjet e grupeve kriminale nëpër pazare bandash e çështjet e krimit.

Gjithçka pritet të zbardhet më tej me të tjera materiale që janë pjesë e dosjeve voluminoze të SPAK, mesa duket një seri e gjatë dokumentash dhe faktesh, që nuk do të ndalen edhe për shumë kohë. Mesa duket kemi të bëjmë me një skemë të madhe aferash dhe skandalesh korrupsioni, krimi, politike ku të gjitha deri tani ndërthuren tek një emër: Ergys Agasi.

Por, Ergys Agasi nuk është as i vetëm, as me pushtet të rrëmbyer, por duket me mission të qartë dhe me një detyrë thuajse të deleguar.

Ngelet vetëm të presim për të parë të pabesueshmen, ashtu siç ka qenë edhe historia e Ilir Prodës apo Vlora Hysenit që nuk konsiderohej, por thuhej se ishte thashethem mediatik ose thashethem kazani apo gjyq popullor, siç ka qejf t’i quajë kryeministri, të cilit kur ja kanë thënë nuk i ka pranuar.

Tani i ka me prova dhe vendime gjykatash. Të presim dhe të shohim thesarin e SPAK që nuk fillon te Ilir Proda dhe nuk mbaron te Vlora Hyseni.

Këto janë ndoshta maja e një ajsbergu, ku përfshihej dhe Mirlinda Karçanaj, por pjesa tjetër duket se është në thellësinë e detit, fakte dhe prova pa fund që dalin në lidhje me mënyrën si ka funksionuar një pjesë e madhe e qeverisë së Edi Ramës, me dosjet mal që ditë pas dite po vendosen stivë duke zbardhur më tej skemëm e një pushtetit të inkriminuar. /CNA





Lajmet e fundit nga