web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

Pensionet private me më shumë mbrojtje për anëtarët, rregulla të reja për fondet

22 Shtator 2026, 18:50, Ekonomi CNA

Anëtarët e fondeve private të pensioneve pritet të kenë më shumë mbrojtje për kontributet e tyre, më shumë informacion mbi kostot dhe performancën e investimeve dhe garanci më të forta në rast të ndryshimit të vendit të punës apo problemeve financiare të punëdhënësit.

Ministria e Financave ka hedhur për konsultim publik ndryshimet në ligjin “Për fondet e pensionit privat”, që synojnë përafrimin e plotë të kuadrit shqiptar me Direktivën europiane IORP II për pensionet profesionale.

Ndryshimet forcojnë rregullat për qeverisjen e fondeve, administrimin e riskut, investimet, transparencën dhe mbrojtjen e anëtarëve, ndërsa krijojnë edhe kuadrin për veprimtarinë ndërkufitare të fondeve pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Punonjësi nuk humbet të drejtat kur largohet nga puna

Një nga ndryshimet më konkrete lidhet me fondet e pensionit të krijuara ose financuara nga punëdhënësi.

Projektligji përcakton se, nëse një punëmarrës ndërpret marrëdhënien e punës, ai vazhdon të gëzojë të drejtat që ka fituar deri në atë moment nga anëtarësia në fond. Këto të drejta ruhen edhe nëse anëtari transferohet ose punësohet te një punëdhënës tjetër.

Gjithashtu, periudha që një punonjës duhet të presë për të fituar të drejtën mbi kontributet e paguara nga punëdhënësi nuk mund të jetë më e gjatë se tre vjet.

Përpara anëtarësimit, punëdhënësi ose sponsori do të duhet ta informojë punëmarrësin edhe për mënyrën se si përfundimi i marrëdhënies së punës mund të ndikojë mbi të drejtat e tij në fondin e pensionit.

Fondet ndahen nga pasuria e punëdhënësit

Projektligji vendos shprehimisht edhe parimin që fondet e pensionit privat janë juridikisht të ndara nga sponsori i tyre.

Kjo synon të mbrojë kursimet e anëtarëve në rast se punëdhënësi ose subjekti që ka krijuar skemën përballet me falimentim. Aktivet e fondit duhet të mbeten të rezervuara për anëtarët dhe përfituesit dhe të mos përdoren për shlyerjen e detyrimeve të sponsorit.

Më shumë informacion para se të futesh në fond

Shoqëritë administruese do të kenë detyrime më të mëdha për të informuar personat përpara se ata të anëtarësohen.

Në rastet kur anëtari merr përsipër riskun e investimit ose ka mundësi të zgjedhë alternativën e investimit, ai duhet të marrë informacion për performancën e investimeve për të paktën pesë vitet e fundit, si në terma nominalë, ashtu edhe realë.

Duhet gjithashtu të bëhen të qarta natyra dhe niveli i tarifave, kostove dhe shpenzimeve që i ngarkohen anëtarit, si dhe mënyra se si llogariten ato.

Prospekti i fondit duhet t’u vihet në dispozicion pa pagesë anëtarëve të mundshëm përpara lidhjes së kontratës.

Investimet duhet të bëhen në interes të anëtarëve

Projektligji forcon edhe parimet mbi mënyrën se si investohen kursimet e pensioneve.

Aktivet duhet të investohen në interesin më të mirë afatgjatë të anëtarëve dhe përfituesve, duke garantuar cilësinë, sigurinë, likuiditetin dhe kthimin e portofolit.

Në rast konfliktesh interesi, vendimet për investimet duhet të merren vetëm në interes të anëtarëve. Shoqëritë administruese duhet të kenë politika të posaçme për administrimin e konflikteve të interesit.

Për herë të parë parashikohet edhe marrja në konsideratë e ndikimit afatgjatë të investimeve mbi faktorët mjedisorë, socialë dhe të qeverisjes.

Përgjegjësi më e madhe për depozitarët

Edhe institucionet që ruajnë aktivet e fondeve do të kenë përgjegjësi të zgjeruar.

Depozitari do të jetë përgjegjës ndaj fondit, shoqërisë administruese dhe anëtarëve për humbjet e shkaktuara prej tij ose nga një palë e tretë së cilës i është deleguar ruajtja e aktiveve.

Ai do të mbajë përgjegjësi edhe për humbjet që vijnë nga pakujdesia ose nga mospërmbushja me dashje e detyrimeve ligjore.

Pas hyrjes në BE hapet tregu ndërkufitar

Një pjesë e rëndësishme e ndryshimeve lidhet me integrimin e tregut shqiptar të pensioneve me atë europian.

Pas anëtarësimit të Shqipërisë në BE, shoqëritë shqiptare administruese do të mund të administrojnë skema pensioni në një shtet tjetër anëtar, ndërsa institucione pensioni të autorizuara në BE do të mund të administrojnë fonde me pjesëmarrje të mbyllur për sponsorë në Shqipëri, sipas procedurave të parashikuara në ligj.

Po pas anëtarësimit do të bëhet i mundur transferimi ndërkufitar i skemave dhe aktiveve të pensioneve, me kusht që të mbrohen të drejtat e anëtarëve. Për një transferim parashikohet edhe pëlqimi paraprak i shumicës së thjeshtë të anëtarëve dhe përfituesve të fondit përkatës.

Projektligji parashikon gjithashtu që pagesat e pensionit dhe përfitimet e tjera të mund t’u kryhen anëtarëve që ndodhen në një shtet tjetër të BE-së.

Këto dispozita, së bashku me mundësinë që shoqëritë e sigurimit të jetës të administrojnë fonde pensioni privat, do të hyjnë në fuqi vetëm në datën e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.

Tregu është në rritje, por mbulimi mbetet i ulët

Tregu shqiptar i pensioneve private ka ardhur duke u zgjeruar, por pjesëmarrja vazhdon të mbetet e kufizuar në raport me skemën publike.

Në fund të shtatorit 2025, numri i anëtarëve arriti në 48,864, me rritje prej 8.8% krahasuar me fundin e vitit 2024. Në atë periudhë, individët që kontribuonin për një pension privat përbënin vetëm rreth 6.4% të numrit të kontribuuesve në skemën publike të sigurimeve shoqërore.

Në fund të vitit 2025, sipas të dhënave më të fundit të AMF-së, numri i anëtarëve ishte rritur më tej në 49,218, ose 11.2% më shumë se një vit më parë. Vlera neto e aktiveve të fondeve arriti në rreth 10 miliardë lekë, me rritje vjetore prej 21.6%. Në treg ushtronin aktivitet shtatë fonde pensioni të administruara nga katër shoqëri administruese.

Tregu vazhdon të ketë një profil shumë konservator investimi. Në fund të vitit 2025, 96.02% e aktiveve të pensioneve private ishin të investuara në obligacione të qeverisë shqiptare, çka kufizon diversifikimin e portofoleve./Monitor 





Lajmet e fundit nga