web counter
LEXO PA REKLAMA!

SHKARKO APP

"SPAK ka arritur rezultate"/ Deklaratë e përbashkët Balla-Tarquinio, mbyllen punimet e Stabilizim-Asociimit

22 Shtator 2026, 17:12, Politikë CNA

"SPAK ka arritur rezultate"/ Deklaratë e përbashkët

Anëtarët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri, përmes një deklarate të përbashkët, kanë ndarë përshtypjet e tyre, pas vizitës në vend në kuadër të mbledhjes së 22-të të këtij komisioni.

Eurodeputetët dhe deputetët shqiptarë përshëndetën procesin e deritanishëm të punës për negociatat e anëtarësimit në BE.

Anëtarët e Parlamentit Europian inkurajuan fort si shumicën, ashtu edhe opozitën, duke respektuar plotësisht diversitetin e qëndrimeve politike,  që të vijojnë të investojnë në forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe të besimit të ndërsjellë për këtë çështje me interes kombëtar.

Po ashtu, theksi u vu edhe te puna e Prokurorisë së Posaçme, që sipas tyre, ka arritur rezultate.

Gjithashtu, në deklaratë u përmend edhe vizita në Zvërnec, ku po vijohen diskutimet për projektet e investimit, e paralelisht edhe vlerën e zonave të mbrojtura ekologjike.

Ndërkohë, u trajtua edhe lidershipi i Shqipërisë dhe ndikimi në stabilitetin rajonal.

DEKLARATË E BASHKË-KRYETARËVE TË KOMITETIT PARLAMENTAR TË STABILIZIM-ASOCIIMIT BASHKIMI EVROPIAN - SHQIPËRI, TAULANT BALLA DHE MARCO TARQUINIO:

Anëtarët e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri adresuan rolin e Kuvendit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në BE; shtetin e së drejtës dhe luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit; ekonominë, turizmin dhe zhvillimin e qëndrueshëm; të drejtat themelore dhe lirinë e medias, si dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe bashkëpunimin rajonal.

Në veçanti, përshëndetëm angazhimin politik të Shqipërisë për anëtarësimin në BE, i cili është thelbësor për përparimin e vendit dhe pasqyron konsensusin e gjerë dhe të qëndrueshëm kombëtar, të mbështetur nga qytetarët dhe partitë politike.
Anëtarët e të dy delegacioneve përshëndetën gjithashtu hapjen me sukses nga Shqipëria, në një periudhë rekord, të negociatave për të gjashtë grupkapitujt e acquis-së së BE-së, si dhe mbylljen e përkohshme të tre kapitujve negociues.
Në mënyrë të veçantë, evidentuam ambicien e vendit për të çuar përpara negociatat e anëtarësimit, duke pasur parasysh synimin strategjik për mbylljen e negociatave të anëtarësimit deri në fund të vitit 2027.

Diskutimet tona u përqendruan tek përfundimet e Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2025 dhe të Raportit të vitit 2026 për Shtetin e së Drejtës, në Rezolutën e Parlamentit Evropian të 17 qershorit 2026, e cila gëzoi mbështetje të gjerë nga eurodeputetët, si dhe në rekomandimet e OSBE/ODIHR-it pas zgjedhjeve parlamentare.
Nxisim institucionet shqiptare të zbatojnë rekomandimet e parashtruara në këto dokumente, për të ruajtur momentumin ndërsa vendi i afrohet arritjes historike të anëtarësimit të plotë në BE.

Diskutimet tona u përqendruan në rolin aktiv dhe të pazëvendësueshëm të Kuvendit të Shqipërisë në përpjekjet e vendit për anëtarësimin në BE. Anëtarët e Parlamentit Evropian inkurajuan fort si shumicën, ashtu edhe opozitën – duke respektuar plotësisht diversitetin e qëndrimeve politike – që të vijojnë të investojnë në forcimin e frymës së bashkëpunimit dhe të besimit të ndërsjellë për këtë çështje me interes kombëtar. Gjithashtu folëm për Forumin e Qytetarëve, që u zhvillua në Tiranë më 19 dhe 20 shtator dhe mblodhi 50 qytetarë për të diskutuar mbi përfitimet dhe sfidat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE, si dhe mbi përfshirjen e qytetarëve në këtë proces. Marrim në konsideratë rekomandimet për të cilat ata ranë dakord.

U vlerësua përafrimi i plotë i Shqipërisë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së, veçanërisht në reagimin e saj ndaj sfidave globale, përfshirë vendosjen e sanksioneve dhe mbështetjen e përpjekjeve ndërkombëtare.

Diskutimet u përqendruan më tej në zbatimin e vazhdueshëm të reformës në drejtësi, e cila ka forcuar pavarësinë, transparencën dhe llogaridhënien e sistemit gjyqësor, si dhe ka kontribuar në përmirësimin e shtetit të së drejtës në vend. Diskutuam nevojën për plotësimin e vendeve vakante në sistemin gjyqësor dhe reduktimin e numrit të çështjeve të prapambetura, si dhe rëndësinë e shmangies së çdo ndërhyrjeje politike në emërimet dhe ngritjet në detyrë në sistemin gjyqësor, duke respektuar standardet ndërkombëtare për të garantuar një gjyqësor plotësisht të pavarur dhe efikas.

Diskutuam rezultatet e arritura nga strukturat e posaçme kundër korrupsionit, përfshirë Strukturën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), dhe bëmë thirrje për qëndrueshmërinë e pavarësisë së tyre.

Ramë dakord për nevojën e vazhdimit të përpjekjeve për mbrojtjen e lirisë së shprehjes dhe pluralizmit të medias në vend, përfshirë mbrojtjen e gazetarëve nga presionet politike dhe ekonomike, pasi këto janë thelbësore për forcimin e demokracisë në Shqipëri.

Diskutuam – edhe gjatë vizitës në Vlorë dhe Zvërnec – zhvillimin pozitiv të sektorit të turizmit në Shqipëri, si një faktor kyç që nxit zhvillimin ekonomik, duke mbajtur parasysh detyrimin e Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj mjedisor me acquis-në e BE-së (Kapitulli i 27-të), veçanërisht për sa u përket zonave të mbrojtura me vlerë të njohur ekologjike.

Lidershipi i Shqipërisë dhe ndikimi i saj pozitiv në stabilitetin rajonal, si dhe angazhimi për nxitjen e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë në Evropën Juglindore dhe Ballkanin Perëndimor, ishte një temë e rëndësishme e diskutimeve tona. Gjithashtu, analizuam angazhimin proaktiv të Shqipërisë në nismat e bashkëpunimit rajonal, si Tregu i Përbashkët Rajonal dhe Procesi i Berlinit, të cilat përbëjnë hapa të rëndësishëm drejt integrimit në Bashkimin Evropian.

Mbledhja e ardhshme e 23-të e Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asociimit BE–Shqipëri do të zhvillohet në Parlamentin Evropian, në pranverën e ardhshme./CNA





Lajmet e fundit nga