Ka përfunduar protesta e 115-të antiqeveritare, pas marshimit të qytetarëve në rrugët e Tiranës.
Gjatë protestës, qytetarët u ndalën në disa pika të kryeqytetit, ndërsa në hyrje të ish-Bllokut u përballën me bllokimin e lëvizjes nga efektivët e Policisë.
Më pas, protestuesit vijuan marshimin drejt Drejtorisë së Policisë së Tiranës, ku hodhën thirrje kundër qeverisë dhe drejtuesve të saj, mes tyre “Arrestoni Ballukun, arrestoni Ramën!”
Në përfundim të protestës, qytetarët e mbyllën marshimin me të njëjtën kërkesë, duke deklaruar se nuk do të tërhiqen nga qëndrimi i tyre.
“Edi Rama, dorëhiqu!” dhe “Nesër më shumë!”, ishin thirrjet me të cilat përfundoi protesta e 115-të antiqeveritare.













