Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka zbardhur detajet e operacionit të zhvilluar paraditen e kësaj të marte, 22 shtator, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Sipas njoftimit zyrtar, Gjykata e Posaçme ka caktuar tre masa sigurie ndaj personave nën hetim, ndërsa janë autorizuar edhe kontrolle në disa ambiente.
Ndaj Vlora Hysenit, me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror, është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, së bashku me pezullimin e ushtrimit të detyrës apo shërbimit publik. Ajo po hetohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
“Arrest në burg” është caktuar për Fatjon Kallucin, Përgjegjës Sektori në Institutin e Policisë Shkencore, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
Në burg është urdhëruar edhe Embro Sulejmani, punonjës i shoqërisë“Agroturizëm Kodra e Kuajve”, i dyshuar për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Sipas SPAK, vendimet për masat e sigurisë i janë përcjellë Policisë së Shtetit, e cila ka ekzekutuar dy prej tyre, duke arrestuar Kallucin dhe Sulejmanin, ndërsa Vlora Hyseni ndodhet jashtë vendit.
Po ashtu, në kuadër të të njëjtit hetim, është autorizuar edhe kontrolli i banesës dhe kontrolli personal i Ilir Prodës, ish-funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, në shënjestër janë vënë edhe dy komplekse vilash në zonën e Shkozetit në Durrës, në kryqëzimin e rrugës“Durrësi në Shekuj” me rrugën “Bajram Tusha”, ku janë ushtruar kontrolle nga BKH.
Akuzat ndaj tyre dhe lidhja me dosjen e AKSHI-t
Operacioni i zhvilluar këtë të martë është raportuar si vijim i hetimeve të SPAK për të ashtuquajturën dosja e AKSHI-t, ku në qendër të hetimeve është edhe biznesmeni Ergys Agasi.
Sipas raportimeve, nga materialet e sekuestruara dhe të administruara gjatë hetimit ndaj Agasit, prokurorët kanë identifikuar komunikime dhe të dhëna që kanë çuar hetimin drejt personave të tjerë, mes tyre drejtuesja e SHISH, një zyrtar i Policisë Shkencore dhe administratori i një agroturizmi në Durrës.
Vlora Hyseni është personi me funksionin më të lartë ndaj të cilit është marrë masë në këtë fazë të hetimit. Sipas akuzave të bëra publike nga SPAK, ajo hetohet për“përkrahje të autorit të krimit” dhe “zbulim të akteve ose të dhënave sekrete”. Ka dyshime se Hyseni i ka përcjellë informacione shtetërore Ergys Agasit dhe se ka favorizuar biznesmenin gjatë kohës që ai ishte në arrati.
Në të njëjtin hetim është arrestuar edheFatjon Kalluçi, shef në Laboratorin Shkencor të Policisë. Kalluçi është përfshirë në fraksionin e ri të hetimit të dosjes së AKSHI-t, ndërsa akuzohet për “Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete” te grupet kriminale.
Ndërsa Embro Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve” në Durrës, akuzohet për përkrahjen e autorit të krimit, pasi ka dyshime se i ka dhënë ndihmë Ergys Agasit gjatë periudhës kur biznesmeni ishte në kërkim.
Raportimet pretendojnë se Agasi ka zhvilluar takime në ambientet e agroturizmit dhe se pamjet e kamerave të sigurisë janë fshirë, çka po verifikohet nga hetuesit si pjesë e dyshimeve për ndihmë ndaj tij.
Ndërkohë, sa i takon ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda, ai ka dalë në materialet e hetimit ndaj Agasit dhe po verifikohet nëse gjatë kohës që drejtonte Policinë e Shtetit ka shkëmbyer informacione me biznesmenin. Për këtë arsye, SPAK ka ushtruar kontroll në banesën e tij dhe ka sekuestruar pajisje elektronike për t’i administruar si prova në hetim.
Vetë Ergys Agasi është vënë në pranga në kuadër të këtij hetimi për dosjen AKSHI dhe dyshohet për një sërë veprash penale, mes tyre konkurrencë të paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje të paligjshme të lirisë, shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, grup të strukturuar kriminal, pastrim të produkteve të veprës penale dhe korrupsion aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike.
Hetimet vijojnë për të zbardhur rolin e secilit prej personave në dosje si dhe lidhjet mes tyre.













