Antonio Guterres, ka hapur të martën punimet e sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, me fjalimin e tij lamtumirës si sekretar i Përgjithshëm i organizatës.
Duke folur para një numri të madh liderësh botërorë të cilët janë mbledhur në New York këtë javë, Guterres ka thënë se po zgjerohet çarja nëpër botë.
"Çarjet janë shndërruar në kanione...Janë hapur ndarje gjeopolitike dhe pabarazitë janë thelluar”, është shprehur ai.
Në fjalimin e tij, Guterres ka theksuar rreziqet e mundshme të inteligjencës artificiale, mes shqetësimeve në rritje për këtë teknologji të diskutueshme, si dhe rreziqet që lidhen me ndryshimet klimatike.
"Njerëzit po ua kalojnë gjithnjë e më shumë pushtetin makinerive, ndërsa agjentët artificialë po dalin jashtë kontrollit”, ka thënë ai.
Edhe
Dy luftëra dhe inteligjenca artificiale, në fokus të Asamblesë së OKB-së
Armët autonome me inteligjencë artificiale po kalojnë nga "fantashkenca në realitetin ushtarak", ka shtuar ai.
"Megjithatë, institucionet dhe sistemet tona të qeverisjes vazhdojnë të pasqyrojnë realitetet e pushtetit dhe interesat e një epoke që i përket kryesisht së shkuarës”, ka thënë ai.
Pas tij fjalim do të mbajë presidenti i Brazilit, Lula da Silva.
Presidenti amerikan, Donald Trump, do të mbajë fjalim pas da Silvas, ndërsa në agjendën e sotme përfshihen gjithashtu presidenti francez, Emmanuel Macron, dhe ai turk, Recep Tayyip Erdogan.
Ndërkohë, Trumpi do të zhvillojë takimin e tij të parë ballë për ballë me kryeministrin britanik, Andy Burnham, i cili ka shprehur shpresën se të dy mund të gjejnë një "gjuhë të përbashkët".
Edhe
Dy luftëra dhe inteligjenca artificiale, në fokus të Asamblesë së OKB-së
Ndërkohë një burim i ka thënë CNN-it se Trumpi u ka thënë këshilltarëve të tij se dëshiron të organizojë një takim me zyrtarë iranianë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, nëse "kushtet janë të përshtatshme".
Nuk është planifikuar ndonjë takim me delegacionin e Iranit, por SHBA-ja është e hapur për një takim të tillë, ka deklaruar edhe sekretari i Shtetit, Marco Rubio.