EKONOMI & MJEDIS /

Tatimet me "dorë të hekurt" ndaj bizneseve debitore, propozohet mbledhje me forcë e detyrimeve të parapagimit të tatimit mbi fitimin

Sipas shpjegimit të kreut të Tatimeve, administrata po has vështirësi në mbledhjen e këtyre shumave, pasi parapagimi nuk trajtohet si një detyrim përfundimtar deri në mbylljen e deklaratës vjetore.

Shkruar nga Versus

Tatimet me "dorë të hekurt" ndaj bizneseve debitore,

Bizneset që nuk paguajnë në kohë këstet e parapagimit të tatimit mbi fitimin mund të përballen me mbledhjen me forcë të detyrimit, nëse një propozim i Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve do të përfshihet në paketën e re fiskale.

Nisma është bërë publike nga Drejtori i Përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, sipas të cilit administrata tatimore i ka propozuar Ministrisë së Financave një ndryshim ligjor që do ta bënte parapagimin e tatimit mbi fitimin të mbledhshëm me forcë që në momentin kur përfundon afati i pagesës.

Aktualisht, sipas shpjegimit të kreut të Tatimeve, administrata po has vështirësi në mbledhjen e këtyre shumave, pasi parapagimi nuk trajtohet si një detyrim përfundimtar deri në mbylljen e deklaratës vjetore.

“Kemi bërë një propozim për ndryshim ligjor në kuptimin që parapagimi i tatim-fitimit të jetë i mbledhshëm me forcë, për faktin se ai nuk është deri tani”, tha Binaj.

Ndryshimi do të përbënte një forcim të mekanizmit të administrimit të këtij tatimi. Në vend që administrata të presë mbylljen e vitit dhe krijimin e detyrimit përfundimtar, synimi është që kësti i papaguar të mund të ndiqet për mbledhje që në momentin kur duhet të ishte shlyer.

Binaj kujtoi se në legjislacionin e mëparshëm, mospagimi i kësteve brenda afatit shoqërohej me një gjobë prej 10%. Kjo masë u hoq me synimin për të lehtësuar bizneset, por sipas tij ndryshimi ka krijuar një problem tjetër për administratën.

“Në ligjin e vjetër ishte që nëse s’paguheshin brenda afateve kishte një gjobë 10%, që ne e hoqëm për ta lehtësuar biznesin, por nga ana tjetër kjo po reflektohet në një vështirësi më të madhe për mbledhjen e parapagimit”, deklaroi ai.

Argumenti i Tatimeve është se pagesa periodike e kësteve mund të jetë edhe më e menaxhueshme për vetë biznesin sesa akumulimi i detyrimit. Nëse administrata pret deri në mbylljen e vitit, një subjekt mund të gjendet përballë një shume të konsiderueshme për t’u paguar në një moment kur mund të ketë edhe probleme me likuiditetin.

“Propozimi ynë, që i kemi bërë Ministrisë së Financave me paketën e re fiskale, është që të merret parapagimi në kohën që ai duhet të paguhet dhe të mos pritet një vit”, tha Binaj, duke argumentuar se pagesa e shpërndarë gjatë vitit mund të jetë më e përballueshme sesa shlyerja e të gjithë shumës në fund.

Tatimi mbi fitimin parapaguhet gjatë vitit, me këste periodike të përcaktuara mbi bazën e rezultateve të vitit paraardhës. Pikërisht statusi juridik i këtyre parapagimeve është elementi që Tatimet kërkojnë të ndryshojnë, në mënyrë që mospagesa në afat të aktivizojë mekanizmat e mbledhjes me forcë.

Problematika merr peshë edhe nga struktura e borxhit tatimor. Sipas të dhënave të cituara nga administrata tatimore, në fund të vitit 2025 rreth 35.5% e detyrimeve të papaguara të bizneseve lidheshin me tatimin mbi fitimin.

Ndërkohë, gjatë këtij viti të ardhurat e mbledhura nga tatimi mbi fitimin rezultojnë 5.1% më të ulëta krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Binajt, kjo ecuri lidhet edhe me orientimin më të madh të administratës tatimore drejt kontrollit të deklarimit të pagave dhe pagesës së kontributeve të sigurimeve shoqërore.

Propozimi nuk është ende një detyrim i ri në fuqi. Ai i është përcjellë Ministrisë së Financave dhe pritet të shqyrtohet në kuadër të përgatitjes së paketës fiskale për vitin e ardhshëm. Nëse miratohet, ndryshimi do t’i japë administratës tatimore mundësinë të ndërhyjë për mbledhjen e kësteve të papaguara pa pritur mbylljen e deklaratës vjetore të tatimit mbi fitimin./Ekofin

Poll