
Rreth 979 persona kanë shprehur interes për t’u bërë pjesë e Byrosë Kombëtare të Hetimit, pas përfundimit të afatit të aplikimeve për 40 pozicionet e shpallura për hetues.
Njoftimi është bërë nga SPAK, i cili ka bërë të ditur se tashmë procedura e rekrutimit ka hyrë në fazën e verifikimit paraprak të aplikimeve dhe dokumentacionit të dorëzuar.
Sipas njoftimit zyrtar, aplikimet do të shqyrtohen në përputhje me kriteret e përcaktuara në ligjin nr. 95/2016 “Për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, rregulloren për procedurat e rekrutimit të hetuesve të BKH-së, si dhe kërkesat e përcaktuara në njoftimin për hapjen e konkurrimit.
“BKH vlerëson interesin e treguar për t’u bërë pjesë e institucionit dhe falënderon të gjithë aplikantët për pjesëmarrjen në këtë proces”, thuhet në njoftim.
Pas përfundimit të verifikimit paraprak, procesi do të vijojë me fazat e tjera të konkurrimit për përzgjedhjen e kandidatëve që do të plotësojnë kriteret për 40 pozicionet e hetuesve në BKH./Versus.al

