
Juventusi është gjobitur me 10 mijë euro pasi një pjesë e tifozëve të tij nuk respektuan minutën e heshtjes në nderim të legjendës së futbollit italian, Sandro Mazzola.
Ngjarja ndodhi të dielën, para ndeshjes Juventus–Atalanta, e fituar 2-0 nga skuadra torineze. Gjatë homazhit për Mazzolën, disa tifozë të vendosur në tribunën jugore të stadiumit “Allianz” i kthyen shpinën fushës dhe vijuan të këndonin.
Federata Italiane e Futbollit (FIGC) bëri të ditur se sanksioni ndaj Juventusit lidhet me sjelljen e një pjese të vogël të tifozëve gjatë minutës së heshtjes.
Masa financiare është zbutur duke marrë parasysh reagimin e menjëhershëm të klubit. Juventusi dënoi publikisht sjelljen e tifozëve dhe u distancua nga veprimet e tyre.
“Nuk ka konkurrencë që justifikon mungesën e respektit gjatë një minute heshtjeje”, deklaroi klubi pas incidentit.
Mazzola, një prej figurave më të rëndësishme të historisë së Interit dhe futbollit italian, u nda nga jeta të shtunën në moshën 83-vjeçare. Në nderim të tij, FIGC kishte vendosur një minutë heshtjeje para të gjitha ndeshjeve të javës së pestë të kampionatit.
Sipas rregullave disiplinore, Juventusi rrezikonte një gjobë deri në 50 mijë euro ose zhvillimin e një ndeshjeje me dyer të mbyllura.

