
Spitalet publike në Shqipëri do të marrin shërbimin e dializës nga kompania “Diaverum”, e cila ka regjistruar në QKB kontratën për 4 vitet e ardhshme.
Bëhet fjalë për një kontratë me vlerë 50 mln euro e cila do të menaxhohet nga Diaverum Albania që zotëron në masën 100 për qind nga Diaverum AB e regjistruar në Suedi, dhe që drejtohet nga tre administratorë.
Ata janë Klodian Shehi, Ermioni Molla dhe Augustin-Viorel Simion, zvpresidenti i grupit Diaverum për Europën e Lindjes.
Sipas dokumentave të dorëzuara në QKB, objekti i shoqërisë do jetë ofrimi dhe menaxhimi i shërbimit të Hemodializës.
"Ofrimi dhe menaxhimi i shërbimit të Hemodializës dhe Hemodiafiltrimit (HDF), përfshirë kujdesin klinik të specializuar për pacientët me sëmundje renale kronike, diagnostikimin, monitorimin dhe menaxhimin e sëmundjeve të veshkave, parandalimin dhe trajtimin e komplikacioneve të lidhura me to, krijimin, mirëmbajtjen dhe monitorimin e aksesit vaskular, furnizimin me pajisje, teknologji dhe materiale mjekësore, mbështetjen teknike, personelin e specializuar mjekësor dhe infermieror, si dhe ofrimin e shërbimeve mbështetëse dhe këshilluese për pacientët, me qëllim sigurimin e vazhdimësisë, cilësisë dhe sigurisë së trajtimit," thuhet në statutin e kompanisë.
Deri më tani shërbimi i hemodializës për pacientët më sëmundje renale është kryer përmes një konçesioni 10 vjeçar. Ky konçesion u fitua nga një kompani e quajtur Diavita, e cila fillimisht zotërohej nga Spitali Amerikan. Por më vonë kompania u shit tek Diaverum.
Konçesioni përfundon këtë muaj dhe tashmë shërbimi është kontraktuar po tek privati përmes një tenderi me vlerë 50 milionë euro.
Muajin e kaluar, Operatori i Shërbimeve të Integruara të Sterilizimit shpalli në regjistrin e parashikimeve të Agjencisë së Prokurimit Publik, një tender me vlerë 4.6 miliardë lekë ose rreth 50.2 milionë euro për ofrimin e shërbimit të dializës në pesë spitalet publike, Shkodër, Lezhë, Korçë, Vlorë dhe Elbasan për një periudhë 4 vjeçare. (1 euro=91.5 lekë)
Në garën e zhvilluar dy javë më parë, u paraqit vetëm një ofertë, ajo e kompanisë Diaverum AB. Kjo kompani ofroi kryerjen e shërbimit për katër vitet e ardhshme me çmimin 4.44 miliardë lekë ose 48.5 milionë euro.
Diaverum nuk mund ta kryejë dot shërbimin përmes kompanisë Diavita, që e ofroi shërbimin konçesionar për 10 vitet e shkuara, pasi Diavita është një shoqëri me qëllim të veçantë (SPV), e themeluar vetëm për konçesionin.
Diaverum u shpall fituese e tenderit 50 milionë euro për shërbimin e dializës në datën 11 shtator./Versus.al

