
Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me hetimin e Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Sipas të dhënave të raportuara, Hyseni dyshohet për dy vepra penale, “nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit”.
Sa i përket akuzës për nxjerrjen e sekretit shtetëror, dyshohet se Hyseni i ka përcjellë Ergys Agasit informacione të klasifikuara. Sipas raportimeve, materiale me përmbajtje sekrete janë gjetur në banesën e Uljan Shpatarakut gjatë kontrolleve të kryera pas arrestimit të tij dhe të Ergys Agasit.
Në kuadër të të njëjtit hetim raportohet se materiale sekrete janë nxjerrë edhe nga zyrtari i policisë Fatjon Kalluci, i cili tashmë ndodhet i arrestuar. Kalluci kishte akses në informacionet e klasifikuara për shkak të detyrës së tij si shef i Laboratorit Shkencor të Policisë.
Ndërkohë, akuza e dytë, ajo e “përkrahjes së autorit të krimit”, lidhet sipas raportimeve me dyshimin se drejtuesja e SHISH ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ndodhej në arrati.
Në këtë kuadër janë rikthyer edhe pretendimet e bëra më herët nga avokati Arben Llangozi dhe përfaqësues të opozitës, sipas të cilëve Agasi, gjatë periudhës së arratisë, lëvizte me një automjet tip “Audi A8” që i përkiste Vlora Hysenit. Këto janë pretendime të raportuara dhe pjesë e çështjes që po hetohet.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arrest ndaj Vlora Hysenit, por masa nuk është ekzekutuar, pasi ajo ndodhet jashtë Shqipërisë. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ajo është pezulluar nga detyra.
Hetimi vijon për të dokumentuar rrethanat dhe rolin e personave të përfshirë në çështje./Versus.al

