Shërbimi Informativ Shtetëror i Shqipërisë është tronditur nga urdhri i SPAK mëngjesin e sotëm për pezullimin nga detyra të drejtoreshës Vlora Hyseni dhe arrestin shtëpiak të saj.
Hyseni ndërkohë ndodhet jashtë vendit për një konferencë në Baku, por pritet që masa e sigurisë të ekzekutohet sapo të mbërrijë në Rinas.
Kjo është hera e parë që një drejtues i SHISH del i përfshirë në dosje të tilla hetimore. Hyseni e cila supozohet të jetë në dijeni të çdo lloj informacioni të klasifikuar dyshohet se ka kryer përkrahjen e autorëve të krimit dhe nxjerrjen e akteve sekrete në kuadër të hetimeve që SPAK po kryen për dosjen e AKSHI-t.
Skandali është edhe më i madh se thjesht dosja e AKSHI-t pasi shefja e Inteligjencës shqiptare që duhet të jetë garant për sigurinë e vendit, rezulton e përfshirë në një dosje ku janë nxjerrë sekrete të klasifikuara shtetërore.
Si u emërua Hyseni në krye të Inteligjencës shqiptare?
Në mars të 2023 vetë kryeministri Edi Rama tha se i kishte propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e Hysenit në postin e drejtoreshës së SHISH pak kohë pasi kjo e fundit ishte shkarkuar me firmë të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nga posti i zv.drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë në Kosovë.
Kështu opozita në Shqipëri kundërshtoi emërimin e saj dhe i kërkoi Begajt të merrte informacione nga Kosova për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga posti që kishte patur. Por Begaj i injoroi këto thirrje dhe nuk e vonoi dekretimin e Hysenit në krye të SHISH. Versus.al

