OPINION /

Kush na mbron? Pikëpyetja e madhe pas ‘cunamit’ në SHISH

Shkruar nga Versus

Kush na mbron? Pikëpyetja e madhe pas ‘cunamit’ në SHISH

Një valë cunami i (pa)paralajmëruar goditi Tiranën sot, duke rrëzuar  një prej institucioneve më sensitive dhe më të rëndësishme: shërbimin informativ. Kreu i këtij shërbimi, Vlora Hysenaj, akuzohet për ‘nxjerrje sekreti shtetëror’ dhe ‘përkrahje të autorit të krimit’, duke krijuar një ‘goditje shock’ nga ato që me shumë gjasë nuk lë asgjë në këmbë.

Ky është një rast unik në botë kur për shefen në detyrë të Inteligjencës së një vendi, të lëshohet urdhër arresti shtëpiak nën dyshim për dy vepra penale. Edhe pse Shqipëria shpesh cilësohet si “vendi i çudirave”, një skandal i tillë nuk ka ndodhur që nga krijimi i shtetit shqiptar dhe me shumë gjasë nuk do të përsëritet më kurrë.

Teksa mendon këtë rast, të vjen ndërmend motoja e Shërbimit Informativ Shtetëror pasqyruar në faqen kryesore ku prej nëntorit të vitit 2025 nuk shpërndahet asnjë informacion.

“Ne jemi aty ku të tjerët nuk janë, sigurojmë informacione që të tjerët nuk i kanë dhe bëjmë më të mirën për sigurinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve”.

Nuk mund të themi se kjo moto e SHISH nuk është e vërtetë, por në këtë rast jo në të mirë të shqiptarëve, por të emrave si Ergys Agasi i cili u arrestua nën akuzë për 7 vepra penale dhe miliarda të shqiptarëve të përfituara nga grupi i strukturuar kriminal tek AKSHI.

E vërtetë është edhe SHISH është aty ku të tjerët nuk janë, sepse sot që SPAK ka lëshuar urdhër arresti shtëpiak për Vlora Hysenin, shefja e SHISH rezulton të jetë në Baku të Azerbajxhanit dhe nuk dihet se kur vjen, nëse vjen dhe a do japë llogari para drejtësisë shqiptare ndërkohë që ka pasaportë të shtetit të Kosovës.

Nga ana tjetër, akuza e SPAK për nxjerrje sekreti nga ana e shefes së SHISH është mjaft e rëndë. Aq e rëndë saqë çdo shqiptar ka të drejtë të pyesë veten nëse jetojmë në një vend normal dhe të sigurt. Në këto kushte SPAK duhet të flasë për të treguar sekretin e nxjerrë nga Hyseni dhe të tregojë nëse ka patur episode të tjera të ngjashme që mbase i kanë shpëtuar nga ‘vëzhgimi’.

Skandali bëhet edhe më i rëndë me përmendjen e ish-kreut të policisë, Ilir Prodës në këtë dosje. Pra figura që deri në mars ishte në krye të policisë dhe shefja e institucionit që ka çdo informacion sekret për vendin, janë përfshirë në një skandal që nuk duket se mund të kalohet aq lehtë pa u vënë re.

Për të gjitha këto, pritet edhe një reagim nga presidenti Bajram Begaj të cilit i kërkohet të mbledhë Këshillin e Sigurisë. Por a do ta bëjë presidenti një gjë të tillë kur vetë ai e dekretoi Hysenin me propozim të Ramës pa marrë informacion përse Albin Kurti e Vjosa Osmani e shkarkuan nga posti që kishte në Kosovë? Kjo mbetet për t’u parë, por diçka është e sigurt, shteti shqiptar nuk ka parë kurrë më parë skandale të përmasave të tilla. Versus.al

Poll