Çfarë do të gjeni në brendësi
*SPAK vendosi sot masën e sigurisë “arrest shtëpie” për shefen e SHISH, Vlora Hyseni, në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t. Hyseni u vetëdorëzua mbrëmjen e sotme në kufi me Kosovën, pas kthimit nga Azerbajxhani, ku iu dorëzua autoriteteve shqiptare. “Kryeministri Edi Rama, nga SHBA ka njoftuar shkarkimin e shefes së SHISH, duke deklaruar se askush nuk është mbi ligjin *Mëngjesin e sotëm, me urdhër të SPAK u kryen kontrolle dhe në banesën e ish-drejtorit të policisë së shtetit, Ilir Proda i cili u mor edhe në pyetje brenda ambienteve të Prokurorisë. *Emri i tij dyshohet se është shfaqur në hetimet për dosjen e AKSHI-t, pas kqyrjes së telefonit të Agasit i cili u arrestua së bashku me Ulian Shpatarakun, ish-krahun e djathtë të Prodës. *Kontrolle janë zhvilluar edhe në banesat e zyrtarëve të tjerë duke sjellë arrestimin e shefit të laboratorit shkencor të policisë, Fatjon Kalluçi dhe të biznesmenit durrsak, Embro Sulejmani.
Vlora Hyseni nuk u ndalua gjatë qëndrimit në Kosovë, mediat: Nuk pati direktivë nga Shqipëria për arrestimin e saj

Detaje të reja janë zbardhur këtë mbrëmje pasi Vlora Hyseni u dorëzua tek autoritetet shqiptare në pikën kufitare të Morinës, teksa po hynte në territorin shqiptar.
Mësohet se Hyseni ka qenë gjatë ditës brenda territorit të Kosovës, por ajo ka kaluar në pikën kufitare të Morinës në mbrëmje duke u dorëzuar tek autoritetet shqiptare.
Policia e Kosovës nuk e ka ndaluar Vjosa Hysenin, megjithëse kishte një masë sigurie të SPAK ndaj saj.
Sipas burimeve nga policia e Kosovës, nuk ka pasur asnjë direktivë nga autoritetet shqiptare për ta arrestuar atë.
Vlora Hyseni është dorëzuar menjëherë tek autoritetet shqiptare të kufirit në pikën e kalimit kufitar Vërmicë-Morinë, atje ku dhe ka deklaruar se kush është dhe është parë që ka dhe një vendim gjyqësor për të në fuqi, atë të arrestit në shtëpi dhe pezullimit të ushtrimit të një detyre apo funksioni publik.
Ajo po shoqërohet tashmë, është rrugës nga pika e kalimit kufitar Vërmicë-Morinë drejt Tiranës ku pritet të bëhet dhe ekzekutimi i masës.
Përsa i përket dyshimeve rreth itinerarit të saj përpara dorëzimit, Kosova nuk ka asnjë linjë direkte ajrore me Azerbajxhanin, por supozohet se ajo mund të ketë përdorur ndonjë linjë të ndërmjetme që kryesisht është Viena./Versus.al
Rama kërkoi shkarkimin e Vlora Hysenit pas masës së SPAK, Begaj firmos dekretin

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka dekretuar këtë mbrëmje shkarkimin e ish-shefes së SHISH, Vlora Hyseni nga detyra .
Sipas njoftimit të Presidencës, vendimi është marrë në mbështetje të nenit 93 të Kushtetutës dhe nenit 5, paragrafi 2 të ligjit për Shërbimin Informativ të Shtetit.
Shkarkimi i Hysenit është bërë me propozim të Kryeministrit Edi Rama.
Vendimi i Presidentit vjen në një ditë kur ndaj Vlora Hysenit janë ndërmarrë edhe veprime nga Prokuroria e Posaçme, në kuadër të një procedimi penal./Versus.al
FOTO/ Vlora Hyseni qëndroi gjithë ditën në Kosovë, momenti kur iu dorëzua autoriteteve shqiptare

Ish-drejtoresha e SHISH, Vlora Hyseni, mësohet se ditën e sotme ka qëndruar në Kosovë, megjithëse masa e sigurisë "Arrest në shtëpi" u lëshua nga SPAK mëngjesin e sotëm.
Hyseni, e cila iu vetëdorëzua autoriteteve shqiptare në kufi me Kosovën, u raportua se ndodhej në Baku për një vizitë pune.
Por, burime nga media në Kosovë raportojnë se Hyseni ka qëndruar gjatë ditës në Kosovë dhe më pas është dorëzuar te autoritetet shqiptare në Vërmicë, ku edhe është ndaluar.
Në media ka qarkulluar dhe fotoja ku tregohet automjeti i ish-shefes së SHISH, i ndalur në pikën kufitare me Kosovën./Versus.al
SPAK e vendosi në “arrest shtëpie”, Vlora Hyseni arrestohet në kufi me Kosovën pas kthimit nga Azerbajxhani

Ish-kryetarja e SHISH, Vlora Hyseni është vetëdorëzuar në pikën kufitare me Kosovën, pas kthimit nga Azejrbaxhani ku ndodhej për një vizitë pune.
Mediat e Kosovës sapo kanë njoftuar ndalimin e saj teksa kthehej nga një udhëtim në Baku.
Sipas mediave kosovare, Hyseni nuk ka pasur urdhër-arrest në Kosovë dhe është dorëzuar tek autoritetet shqiptare në momentin e kalimit të kufirit në Vërmicë.
Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku, sipas raportimeve, kishte udhëtuar për të marrë pjesë në një takim ndërkombëtar për sigurinë, ku merrnin pjesë drejtues të shërbimeve informative nga vende të ndryshme.
Ish-shefja e SHISH, Vlora Hyseni u shkarkua sot nga kryeministri Edi Rama pas masës së sigurisë që vendosi SPAK ndaj saj.
Hyseni u emërua në krye të SHISH në vitin 2023, pasi më herët kishte shërbyer në strukturat e inteligjencës në Kosovë. Ajo ishte propozuar nga kryeministri Edi Rama për drejtimin e institucionit dhe më pas mori detyrën si drejtuese e Shërbimit Informativ të Shtetit.
Ndaj saj, SPAK ka caktuar masën sigurisë “arrest në shtëpi” në lidhje me hetimet e dosjes “AKSHI”./Versus.al
Reuters: Gjykata e Shqipërisë pezullon shefin e spiunazhit, urdhëron "arrest shtëpiak" në hetimin për korrupsion

Zhvillimet e bujshme të ditës së sotme, vënia në “arrest shtëpie” e shefes së Shërbimit Informativ Shqiptar, SHISH, dhe kontrolli në banesë i ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit nga SPAK, për llogari të hetimeve të çështjes së AKSHI-t, ka marrë vëmendjen dhe të mediave ndërkombëtare.
Reuters në një artikull dedikuar kësaj ngjarje, shkruan se “Hyseni dyshohej për zbulimin e informacionit të klasifikuar personave të paautorizuar në lidhje me një rast korrupsioni në Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), e cila menaxhon shërbimet publike dixhitale dhe infrastrukturën e IT-së në Shqipëri.
Më tej në artikull shkruhet se, shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë janë arrestuar ose po hetohen për keqpërdorim të parave publike në AKSHI.
"SPAK, i cili synon korrupsionin dhe krimin e organizuar, tha se masat kundër Hysenit u miratuan nga një gjykatë antikorrupsion për të lejuar hetime të mëtejshme", thotë media prestigjioze britanike Reuters.
Artikulli i plotë
Një gjykatë shqiptare ka pezulluar shefen e inteligjencës së vendit dhe ka urdhëruar arrestin e saj shtëpiak me dyshimin për zbulimin e informacionit të klasifikuar, si pjesë e një hetimi më të gjerë për korrupsion, tha të martën një zyrë e prokurorisë speciale.
Vlora Hyseni, e cila është me origjinë nga Kosova, ka shërbyer si drejtuese e shërbimit të inteligjencës SHISH që nga viti 2023. Më parë, ajo shërbeu si zëvendësshefe e inteligjencës në Kosovë.
Prokurorët thanë se Hyseni dyshohej për zbulimin e informacionit të klasifikuar personave të paautorizuar në lidhje me një rast korrupsioni në Agjencinë Kombëtare për Shoqërinë e Informacionit (AKSHI), e cila menaxhon shërbimet publike dixhitale dhe infrastrukturën e IT-së në Shqipëri. Zyra e prokurorisë speciale, e njohur si SPAK, e ka ndjekur prej kohësh çështjen.
Hyseni nuk mund të kontaktohej për koment.
Shumë zyrtarë shtetërorë dhe biznesmenë janë arrestuar ose po hetohen për keqpërdorim të parave publike në AKSHI.
SPAK, i cili synon korrupsionin dhe krimin e organizuar, tha se masat kundër Hysenit u miratuan nga një gjykatë antikorrupsion për të lejuar hetime të mëtejshme.
Kryeministri Edi Rama, i cili ndodhet në Nju Jork për Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, tha se e kishte shkarkuar tashmë Hysenin nga detyrat e saj dhe, në konsultim me presidentin, do të emëronte një drejtuese të re të agjencisë së inteligjencës.
“Të gjithë janë të pafajshëm derisa të jepet një vendim i formës së prerë i gjykatës, por askush nuk është mbi ligjin”, shkroi Rama në X.
Ky veprim është një tjetër pengesë për qeverinë e Ramës. Në shkurt, Rama shkarkoi zëvendëskryeministren e tij Belinda Balluku pasi u ngritën akuza për korrupsion kundër saj. Parlamenti më vonë refuzoi t'i hiqte imunitetin për të lejuar arrestimin e saj. Balluku i mohoi akuzat.
Zyrtarët e Bashkimit Evropian i kanë thënë Reuters se po e shqyrtojnë nga afër mënyrën se si Rama i ka trajtuar rastet e korrupsionit dhe se lufta e Shqipërisë kundër krimit dhe korrupsionit ishte kritike për përpjekjen e vendit ballkanik për t'u bashkuar me bllokun deri në vitin 2030./Versus.al
Pasi e shkarkoi nga drejtimi i SHISH, Rama: Nuk bëjmë avokatin e askujt që përballet me drejtësinë!

Kryeministri Edi Rama, në deklaratën e tij nga SHBA, ku ndodhet prej disa ditësh në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, e ka cilësuar hetimin e SPAK ndaj Vlora Hysenit, jo aktakuzë për mazhorancën.
Pasi vendosi shkarkimin e kreut të SHISH, Rama ka vlerësuar punën e Vlora Hysenit në shërbim të Shqipërisë.
Rama shkruan se pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës.
“Dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë”, shkruan Rama.
Pjese nga deklarata e plote
Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.
Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.
E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.
As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.
Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:
Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë./Versus.al
Nga informacionet sekrete tek makina kur ishte në arrati, zbulohen lidhjet mes kreut të SHISH dhe Ergys Agasit. Materialet sekrete u gjetën...

Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me hetimin e Prokurorisë së Posaçme ndaj drejtueses së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Sipas të dhënave të raportuara, Hyseni dyshohet për dy vepra penale, “nxjerrja e sekretit shtetëror” dhe “përkrahja e autorit të krimit”.
Sa i përket akuzës për nxjerrjen e sekretit shtetëror, dyshohet se Hyseni i ka përcjellë Ergys Agasit informacione të klasifikuara. Sipas raportimeve, materiale me përmbajtje sekrete janë gjetur në banesën e Uljan Shpatarakut gjatë kontrolleve të kryera pas arrestimit të tij dhe të Ergys Agasit.
Në kuadër të të njëjtit hetim raportohet se materiale sekrete janë nxjerrë edhe nga zyrtari i policisë Fatjon Kalluci, i cili tashmë ndodhet i arrestuar. Kalluci kishte akses në informacionet e klasifikuara për shkak të detyrës së tij si shef i Laboratorit Shkencor të Policisë.
Ndërkohë, akuza e dytë, ajo e “përkrahjes së autorit të krimit”, lidhet sipas raportimeve me dyshimin se drejtuesja e SHISH ka ndihmuar Ergys Agasin gjatë kohës që ai ndodhej në arrati.
Në këtë kuadër janë rikthyer edhe pretendimet e bëra më herët nga avokati Arben Llangozi dhe përfaqësues të opozitës, sipas të cilëve Agasi, gjatë periudhës së arratisë, lëvizte me një automjet tip “Audi A8” që i përkiste Vlora Hysenit. Këto janë pretendime të raportuara dhe pjesë e çështjes që po hetohet.
Prokuroria e Posaçme ka lëshuar urdhër-arrest ndaj Vlora Hysenit, por masa nuk është ekzekutuar, pasi ajo ndodhet jashtë Shqipërisë. Ndaj saj është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa ajo është pezulluar nga detyra.
Hetimi vijon për të dokumentuar rrethanat dhe rolin e personave të përfshirë në çështje./Versus.al
SPAK kërkoi arrestimin e kreut të SHISH, Rama shkarkon nga detyra Vlora Hysenin: Askush nuk është mbi ligjin!

Pas lajmit të bujshëm të masës së sigurisë kërkuar nga SPAK ndaj Vlora Hysenit, ka reaguar kryeministri Edi Rama.
Në një deklaratë, Rama thotë se ka kërkuar shkarkimin e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, dhe se askush nuk është mbi ligjin.
Në një postim në rrjetin X, Rama tha se pas kthimit në Tiranë nga Shtetet e Bashkuara, në konsultim me Presidentin e Republikës, do të përzgjidhet drejtuesi i ri i Shërbimit Informativ të Shtetit.
Deklarata e plotë e Edi Ramës
"Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar dhe ndjesë për këtë.
Jam informuar lidhur me masën e arrestit shtëpiak që SPAK-u ka nxjerrë për drejtoren e Shërbimit Informativ të Shtetit, e pres që çdo dyshim i organit të akuzës të hetohet dhe zbardhet deri në fund përmes procesit të pavarur gjyqësor.
Përtej respektit për punën dhe për personin e Vlora Hysenit, si edhe po ashtu përtej vlerësimeve të vazhdueshme, që ajo ka marrë nga agjencitë partnere si drejtuese e shërbimit inteligjent shqiptar, rruga pa kthim që kemi zgjedhur është rruga e pavarësisë së organeve të drejtësisë për të hetuar e gjykuar këdoqoftë, pavarësisht statusit social apo funksionit publik.
Por po ashtu, është e pashmangashme mesa duket, që çdo hetim apo masë e marrë nga drejtësia në adresë të personave publikë, të kthehet në një motivim për të grirë mish njeriu në mexhelisin politik e mediatik dhe për të thirrur “litarin” si në sheshet e ekzekutimit mesjetar, kohë përpara sesa gjykata të thotë fjalën e saj.
E megjithatë, kurrësesi nuk mund të jetë e vërtetë që veprimet e pavarura të drejtësisë dhe afirmimi i vijueshëm i barazisë para ligjit, të jenë njëkohësisht akt-akuza kundër pikërisht një shumice qeverisëse e cila me kurajo e me vendosmëri, ia ka çelur rrugën drejtësisë së pavarur, në një vend ku deri para shumë pak vitesh kjo pavarësi ishte e paimagjinueshme prej shekujsh.
As mund të jenë këto zhvillime me drejtësinë baltë kundër Shqipërisë, e cila po bën në rrugën e saj të bashkimit me Europën shumëçka që as nuk mund të imagjinohet akoma në vendet e tjera të rajonit dhe që koha do ta çmojë më mirë se sa kushdo.
Çdokush është i pafajshëm deri në gjykimin përfundimtar po askush nuk është mbi ligjin në asnjë rast e për asnjë arsye, kështu që unë i jam falenderues Vlora Hysenit për çdo gjë që ka bërë si duhet në shërbim të Shqipërisë, ndërsa për gjithçka tjetër që ka të bëjë me çështjen e sapohapur nga organet e drejtësisë, qëndrimi im mbetet po ai i ditës së parë të Reformës në Drejtësi:
Pafajësia ose fajësia e një bashkëpunëtori të vendosur nën akuzë është një çështje individuale përballë prokurorisë e gjykatës dhe kjo shumicë qeverisëse me mua në krye, i mbetet besnike këtij qëndrimi duke mos hyrë në meritën e asnjë çështjeje të drejtësisë dhe duke mos bërë avokatinë e askujt që përballet me drejtësinë.
Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm, e sapo të kthehem në Tiranë dhe në konsultim me Presidentin e Republikës, do të zgjedhim drejtuesin e ri të Shërbimit Informativ të Shtetit./Versus.al
SPAK me njoftim zyrtar për aksionin ndaj Prodës e Hysenit: Shefja e SHISH përkrahu autorin e krimit

Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka dalë me njoftim zyrtar për aksionin e zhvilluar gjatë orëve të para të mëngjesit të sotëm. Në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t, Vlora Hyseni akuzohet se ka përkrahur autorin e krimit dhe ka nxjerrë informacione sekrete.
Aktualisht masa e sigurisë ndaj saj nuk është ekzekutuar ende sepse ndodhet në Baku të Azerbajxhanit.
Njoftimi:
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
“Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 320/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
“Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve. Versus.al
Aksioni i SPAK, Berisha: Agasi dhe Vlora Hyseni takoheshin poshtë shtëpisë time dy herë në javë

Kryedemokrati Sali Berisha reagoi për aksionin e fundit të SPAK duke risjellë në vëmendje deklaratën e bërë prej tij vite më parë ku shprehej se Ergys Agasi kishte nën kontroll Shërbimin Informativ Shtetëror.
Ai madje shtoi se Agasi dhe Hyseni takoheshin në një lokal poshtë pallatit ku vetë Berisha banon.
“Në mënyrë të përsëritur, kam denoncuar se SHISH e kontrollonte Ergys Agasi. Sesa të lidhur ishin Vlora me Gysin dhe Gysi me Vlorën është një lokal aty afër shtëpisë time. Të paktën dy herë në javë drekonin së bashku.
Nuk është se shkonin diku mbrapa Dajtit, jo jo në mes të Tiranës. I kishin të zakonshme drekat dhe darkat dy herë në javë njëri me tjetrin. Ky bashkëpunim dëshmon se në Shqipëri padrino vendosi sistemin e kontrollit kriminal në çdo institucion dhe qelizë të këtij vendi.”, tha Berisha. Versus.al
Agasi hynte e dilte tek lokali i bllokut qeveritar në Durrës! Embro Sulejmani i “Kodrës së Kuajve” fshiu kamerat e sigurisë
Detajet e reja të zbuluara nga dosja hetimore ndaj Ergys Agasit kanë thelluar skandalin e përfshirjes së institucioneve të shtetit shqiptar. Embro Sulejmani, administrator i agroturizmit “Kodra e Kuajve” u arrestua me urdhër të SPAK sepse dyshohet se fshiu pamjet e sigurisë të një lokali në bllokun qeveritar në Durrës ku gjithashtu është administrator.
Ditën kur Agasi u arrestua, Sulejmani i fshiu pamjet e kamerave të sigurisë me qëllim që të mos zbulohej se Agasi frekuentonte këtë lokal në bllokun qeveritar gjatë kohës që ishte në arrati.
SPAK ka arrestuar edhe Fatjon Kukollin, shefin e laboratorit të policisë shkencore i cili gjithashtu shfaqet në dosjen e Ergys Agasit. Versus.al
“Duhet të krenohemi”, Çuçi pas aksionit të SPAK ndaj shefes së SHISH dhe Prodës: Kemi shtet që funksionon

Ndërkohë që opozita ka ngritur alarmin pas aksionit të SPAK që caktoi arrest shtëpiak për shefen e SHISH nën dyshimin se ka zbuluar akte sekrete duke ndihmuar Agasin dhe kontrolleve në banesën e ish-kryepolicit, Ilir Proda, PS e konsideron këtë si arsye për t’u krenuar.
“Duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet që funksionon”- u shpreh socialisti Bledi Çuçi gjatë mbledhjes së komisionit për Çështjet e Brendshme dhe të Mbrojtjes.
“Institucionet nuk janë emrat e përvetshëm. Ato kanë strukturat dhe sistemet e veta. Përgjegjësia personale është e gjithkujt që merr përsipër të ushtrojë një funksion publik. Çdo person është i pafajshëm derisa të shpallet i fajshëm nga sistemi i drejtësisë. Unë mendoj që më shumë se kurrë, sot ne duhet të krenohemi që kemi ngritur një shtet që funksionon ku pushtetet brenda republikës janë krejtësisht të pavarura dhe balancojnë njëra-tjetrën, ajo që po ndodh sot me sistemin e drejtësisë, po ndodh vetëm falë vullnetit të kësaj mazhorance. Tregon një qëndrueshmëri të shtetit shqiptar dhe shyqyr ka ardhur kjo ditë. Të tjerat t’ia lëmë drejtësisë. Pa e zbardhur drejtësia plotësisht këtë gjë, ne nuk mund të flasim më shumë dhe të themi ndoshta gjëra që nuk qëndrojnë fare”- tha Çuçi. Versus.al
"Të mblidhet këshilli i Sigurisë Kombëtare", Tabaku pas aksionit të SPAK: Janë rrënuar themelet e shtetit

Partia Demokratike ka kërkuar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare pas aksionit të sotëm të SPAK që caktoi arrest shtëpie për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni dhe ushtroi kontrolle në banesën e ish-kreut të policisë Ilir Proda.
Deputetja Jorida Tabaku shkroi në rrjetin e saj social se duhet të ketë një sqarim nga ana e presidentit nëse janë cënuar informacionet shtetërore dhe siguria e qytetarëve pasi Hyseni supozohej të ishte në krye të Inteligjencës shqiptare.
Reagimi i plotë:
Shqipëria është gdhirë sot me raportimet për një masë sigurie ndaj drejtueses së SHISH dhe kontrolle në banesën e ish-drejtorit të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve për Ergys Agasin dhe dosjen AKSHI. Një ditë pas spektaklit propagandistik të ministrit të Brendshëm, shqiptarët përballen me dyshime që prekin majat e institucioneve përgjegjëse për sigurinë e tyre.
Kjo është pamja e një sistemi të kalbur që po shkatërron Shqipërinë, pasi ka rrënuar themelet e shtetit. Kur hetimet për një grup të strukturuar kriminal mbërrijnë deri te drejtuesit e institucioneve të sigurisë, pyetja bëhet e pashmangshme: kujt i kanë shërbyer këto institucione? Qytetarëve që duhet të mbronin, apo pushtetit dhe interesave që duhet të hetonin?
Çdo ditë bie një copë nga muri i propagandës dhe pas tij shfaqen rrënjët e krimit, korrupsionit dhe lidhjeve të tyre me qeverisjen. Përgjegjësia politike ka emër: Edi Rama. Ai i ka zgjedhur këta drejtues, i ka promovuar dhe ua ka paraqitur shqiptarëve si fytyrën e shtetit të tij. Sot u detyrohet përgjigje.
Presidenti i Republikës duhet të thërrasë menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare. Duhet të sqarohet nëse janë cenuar informacionet shtetërore, puna e institucioneve dhe siguria e qytetarëve. Shqipëria nuk mund të presë shfaqjen e radhës të propagandës, ndërsa dyshimet prekin vetë strukturat që duhet ta mbrojnë.
Drejtësia duhet të bëjë punën e saj deri në fund, pa mburoja politike dhe pa pengesa. Por përgjegjësia politike nuk mund të shtyhet pafund, duke pritur që për çdo hallkë të këtij sistemi të flasë prokuroria.
Kjo qeverisje është burimi i sëmundjes. Largimi i saj është i domosdoshëm për t’i hapur rrugë shërimit të një vendi ku shqiptarët varfërohen, ndërsa një pakicë pasurohet nga pushteti, korrupsioni dhe pandëshkueshmëria.
Koha për ndryshim! Koha për ta çrrënjosur këtë sistem! Koha që kjo shumicë të largohet! Versus.al
Shefi i laboratorit të policisë dhe biznesmeni durrsak në dosjen e AKSHI-t, dalin FOTO-t e 2 të arrestuarve
Biznesmeni Embro Sulejmani dhe shefi i laboratorit shkencor të policisë, Fatjon Kalluçi janë dy personat e arrestuar gjatë aksionit të SPAK mëngjesin e sotëm teksa u zhvilluan kontrolle në kuadër të hetimeve për dosjen e AKSHI-t.
Sulejmani rezulton të jetë pronar i një biznesi në qytetin e Durrësit. Ndërsa Kalluçi është një personazh kyç që ka dalë gjatë hetimeve edhe për shkak të rëndësisë së punës që ka mbajtur në institutin e policisë shkencore.
Ai merret ekskluzivisht me administrimin e provave dhe dokumenteve për krime të ndryshme që mund të ndodhin në vendin tonë. Dyshohet se ka patur lidhje me Agasin dhe mund të ketë kontaktuar me këtë të fundit për ndonjë ngjarje të caktuar kriminale. Versus.al
Aksioni i SPAK për Hysenin dhe Prodën, arrestohet biznesmeni në Durrës dhe shefi i laboratorit të policisë

Në kuadër të aksionit të SPAK ndaj drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni dhe ish-kreut të policisë, Ilir Proda, janë arrestuar edhe dy persona.
Në pranga kanë rënë një Embro Sulejmani, biznesmen në Durrës dhe shefi i laboratorit shkencor të policisë, Fatjon Kalluçi.
Kontrollet e policisë në banesën e Prodës janë ende në vazhdim. Versus.al
E propozoi Rama në krye të SHISH, përfshirja e Hysenit në dosjen e Agasit, a u cënua siguria kombëtare?
Shërbimi Informativ Shtetëror i Shqipërisë është tronditur nga urdhri i SPAK mëngjesin e sotëm për pezullimin nga detyra të drejtoreshës Vlora Hyseni dhe arrestin shtëpiak të saj.
Hyseni ndërkohë ndodhet jashtë vendit për një konferencë në Baku, por pritet që masa e sigurisë të ekzekutohet sapo të mbërrijë në Rinas.
Kjo është hera e parë që një drejtues i SHISH del i përfshirë në dosje të tilla hetimore. Hyseni e cila supozohet të jetë në dijeni të çdo lloj informacioni të klasifikuar dyshohet se ka kryer përkrahjen e autorëve të krimit dhe nxjerrjen e akteve sekrete në kuadër të hetimeve që SPAK po kryen për dosjen e AKSHI-t.
Skandali është edhe më i madh se thjesht dosja e AKSHI-t pasi shefja e Inteligjencës shqiptare që duhet të jetë garant për sigurinë e vendit, rezulton e përfshirë në një dosje ku janë nxjerrë sekrete të klasifikuara shtetërore.
Si u emërua Hyseni në krye të Inteligjencës shqiptare?
Në mars të 2023 vetë kryeministri Edi Rama tha se i kishte propozuar presidentit Bajram Begaj emrin e Hysenit në postin e drejtoreshës së SHISH pak kohë pasi kjo e fundit ishte shkarkuar me firmë të Albin Kurtit dhe Vjosa Osmanit nga posti i zv.drejtoreshës së Marrëdhënieve me Jashtë në Kosovë.
Kështu opozita në Shqipëri kundërshtoi emërimin e saj dhe i kërkoi Begajt të merrte informacione nga Kosova për arsyet e shkarkimit të Hysenit nga posti që kishte patur. Por Begaj i injoroi këto thirrje dhe nuk e vonoi dekretimin e Hysenit në krye të SHISH. Versus.al
I kontrolluan banesën për lidhjet me Agasin, Ilir Proda del nga SPAK dhe ndez cigaren

Ish-kreu i policisë, Ilir Proda ka dalë nga ambientet e SPAK pak orë pas kontrollit të banesës së tij në kuadër të dosjes së AKSHI-t dhe lidhjeve me Agasin.
Mësohet se aksioni i SPAK është në vijim dhe se po ushtrohen edhe kontrolle në banesa të tjera të zyrtarëve të përfshirë në dosjen hetimore ku ka dalë emri i Ilir Prodës dhe Vlora Hysenit.
Proda shërbeu si drejtor i policisë së shtetit deri në mars të vitit 2026 kur u shkarkuar nga detyra me pretekstin e tensioneve të shkaktuara nga protestuesit e PD. Versus.al
Arresti i Vlora Hysenit për 2 vepra penale, pamjet filmike nga zyra e Agasit, biznesmeni pranoi takimet me ministra

Aksioni i sotëm i zhvilluar nga SPAK ka zbuluar detaje të reja rreth dosjes së AKSHI-t ku tanimë kanë dalë edhe emrat e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni e ish-kreut të policisë, Ilir Proda.
Mësohet se Hyseni dyshohet për dy vepra penale, përkrahjen e autorit të krimit dhe zbulimin e akteve ose të dhënave sekrete. Pamjet filmike të sekuestruara në zyrën e Ergys Agasit, dokumentojnë takime të tij me ministra dhe zyrtarë të lartë.
Madje vetë Agasi gjatë një deklarate në GJKKO ka pranuar se i kishte zhvilluar takimet, por duke mohuar veprat penale. Versus.al
Kontrollet në shtëpinë e Prodës, gazetarja: SPAK zbuloi të dhëna në telefonin e Agasit pas arrestimit
Ish-kreu i Policisë së Shtetit, Ilir Proda ishte në qendër të kontrolleve të zhvilluara sot nga agjentët e BKH me urdhër të SPAK. Aksioni ka nisur në orët e para të mëngjesit dhe përfshin edhe disa zyrtarë të tjerë.
Gjatë dy viteve të tij në krye të policisë, gazetarja Klodiana Lala tha se ka patur gjithmonë aludime për lidhje të forta mes Prodës dhe biznesmenit të arrestuar për skandalin e AKSHI-t, Ergys Agasi.
“Rezulton se është urdhëruar kontroll banese për ish-drejtorin e Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Proda drejtoi për më shumë se dy vite Policinë dhe është aluduar për lidhje të forta me Ergys Agasin”- u shpreh gazetarja.
Sipas saj, dyshohet se këqyrja e telefonave pas arrestimit të Agasit mund t’u ketë siguruar prokurorëve të dhëna që lidhen me persona të tjerë dhe hetimet që po zhvillohen. Lala shtoi se kontrolle po zhvillohen edhe ndaj personave të tjerë për të cilët ka patur vazhdimisht akuza politike nga opozita shqiptare. Versus.al
E BUJSHME/ SPAK kontrolle në banesën e Ilir Prodës, arrest shtëpie për drejtoreshën e SHISH, Vlora Hyseni
Prokuroria e Posaçme (SPAK) ka zhvilluar kontrolle mëngjesin e sotëm në banesën e ish-kreut të policisë së shtetit, Ilir Proda.
Gjithashtu me urdhër të GJKKO, është caktuar masa e arrestit shtëpiak për drejtoreshën e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni e cila është pezulluar edhe nga detyra që mban.
Ndërkohë që pritet zbardhja e detajeve të tjera në vijim, lidhur me Prodën mësohet se emri i tij kishte dalë në hetimet e një tjetër dosje që po hetohej nga SPAK. Kujtojmë se pak javë më parë, ish-krahu i djathtë i Prodës Ulian Shpataraku, u gjet në makinë duke shoqëruar biznesmenin e shumëkërkuar, Ergys Agasi. Versus.al

