Vendimi i Gjykatës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për caktimin e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” dhe “pezullim nga detyra” për drejtuesen e Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni, në lidhje me hetimet që po kryhen për dosjen e AKSHI, është ngjarja më e rëndë në piramidën e shtetit shqiptar që nga vitet 1996-1997, me SHIK-un e Bashkim Gazidedes dhe Sali Berishës, kur shërbimi sekret përdorej për rrëmbime, torturim dhe zhdukje kundërshtarësh politikë.
Institucioni i sekreteve në Shqipëri, kolona kryersore e sigurisë kombëtare, sipas dosjes së SPAK është vënë në shërbim të krimit të organizuar, korrupsionit dhe paligjshmërive, duke kompromentuar rëndë sigurinë kombëtare dhe besueshmërinë e SHISH në raport me partnerët kryesorë, amerikanët dhe izraelitët. Kryespiunia e Shqipërisë Vlora Hyseni, e cila besohet se është arratisur jashtë vendit sapo SPAK i ka kërkuar GJKKO, burgosjen e saj në shtëpi, akuzohet nga SPAK për shitje të sekreteve shtetërore dhe përkrahje e autorit të krimit (dyshohet për strehim të Gys Agasit).
Teksa detajet nga dosja pritet të jenë të rënda, Vlora Hysenin e kemi ‘peshqesh’ nga rrufjani Baton Haxhiu, 61 vjeç, i paguar deri në 18 mijë euro në muaj nga oligarkët për ndërmjetësime korruptive, i lakuar si spiun i qarqeve serbe dhe UDB-së në pesë breza (stërgjyshi, gjyshi, babi Fazliu, vetë Batoni dhe i biri), si dhe i denoncuar për sondazhe me pagesë, futjen e miellit serb në Shqipëri, pastrim parash me Ilir Metën dhe oligarkët, mashtrim etj.
Vlora Hyseni ka shërbyer për vite në Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë, ku në vitin 2019 arriti pozicionin e zëvendësdrejtoreshës dhe për një kohë ushtroi edhe detyrën e drejtueses së institucionit. Më 30 qershor 2021, ajo u shkarkua nga kjo detyrë nga presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti. Vendimi i publikuar në Fletoren Zyrtare të Kosovës nuk përmbante shkaqet e largimit, por Hysenit iu kërkua të kthente pajisjet dhe materialet zyrtare, ndërsa iu rikujtua detyrimi për të ruajtur fshehtësinë e informacioneve të klasifikuara.
Ky shkarkim nxiti valë të mëdha spekulimesh dhe akuzash në Prishtinë. Rrethet mediatike dhe politike pranë opozitës dhe qeverisë zhvilluan debate të ashpra lidhur me dyshimet për rrjedhje informacioni, përplasje kompetencash dhe pretendime për lidhje paralele me faktorë të jashtëm, duke e kthyer emrin e saj në një pikë të nxehtë politike mes agjencive të sigurisë.
Formulimi i shkarkimit ngrinte dyshime për rrjedhje të dhënash. Ndaj largimi i një funksionareje të këtij niveli nga inteligjenca kosovare duhej parë si një sinjal paralajmërues për çdo shtet tjetër që do t’i ofronte një post të krahasueshëm. Në lojë hyri Baton Haxhiu, këshilltar në hije i Ramës, i cili mësohet se loboi dhe bindi Ramën t’a merrte Vlora Hysenin këshilltare për Sigurinë Kombëtare, edhe si shenjë sfidimi ndaj Albin Kurtit.
Vetëm disa muaj pas shkarkimit, Edi Rama e afroi Hysenin si këshilltare për sigurinë kombëtare. Duket se Baton Haxhiu i ‘fryu sërish në vesh’ Ramës, i cili në 17 mars 2023 i propozoi presidentit Bajram Begaj emrin e Vlora Hysenit për të drejtuar SHISH-in. Në argumentimin e tij për këtë emërim, Edi Rama u shpreh publikisht: “Propozimi për emërimin e Vlora Hysenit si drejtore e Shërbimit Informativ të Shtetit është bërë mbi bazën e përgatitjes së saj të lartë profesionale, përvojës ndërkombëtare dhe njohjes së thellë të sfidave të sigurisë rajonale. Profile si ai i znj. Hyseni i japin një dimension të ri integrimi dhe profesionalizmi shërbimit tonë inteligjent“.
Ndryshe nga optimizmi i Ramës, opozita ishte skeptike, duke i kërkuar presidentit Begaj që të mos e dekretonte pa marrë informacione në Kosovë se përse e kishte shkarkuar Albin Kurti. U ngritën pikëpyetje mbi procedurat e verifikimit të sigurisë dhe certifikimit të saj nga strukturat e NATO-s pas zhvillimeve në Kosovë. Por, këto zëra nuk shkuan në veshin e presidentit Bajram Begaj, i cili e dekretoi Vlora Hysenin si drejtuese të SHISH-it më 3 prill të vitit 2023.
Emërimi i një zyrtareje të shkarkuar për “humbje besimi” nga Kosova dëmtonte marrëdhëniet institucionale Tiranë–Prishtinë dhe ngjallte dyshime mbi integritetin e saj në trajtimin e sekretit shtetëror. Maxhoranca e PS-së dhe Rama e mbrojtën me forcë profilin e saj, duke theksuar se ajo gëzonte besueshmëri të plotë te agjencitë partnere perëndimore dhe te SHBA, si dhe duke e cilësuar emërimin e saj si një hap me rëndësi historike për përfaqësimin mbarëshqiptar në institucionet e larta të sigurisë.
Rruga e saj në krye të inteligjencës shqiptare pësoi një kthesë drastike sot. Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Gjykata e Posaçme (GJKKO) vendosi masën e sigurisë “arrest në shtëpi” dhe pezullimin nga detyra për Vlora Hysenin. Por, këtu nuk diskutohet për fatin e Vlora Hysenit.
Hetimet e SPAK-ut e lidhën emrin e saj me dyshimet për rrjedhje të informacioneve shtetërore në dobi të personave të tretë apo biznesit apo krimit (përfshirë hetimet e njohura si ‘Dosja e AKSHI-t’). Ky vendim shkaktoi një tërmet të vërtetë në kupolën e sigurisë kombëtare, duke e kaluar drejtuesen e parë grua të SHISH-it nga majat e pushtetit të inteligjencës në përballje të drejtpërdrejtë me drejtësinë.