Të gjithë e dinin në Baku, Vlora Hyseni shfaqet në Kosovë dhe dorëzohet te autoritetet

Kryesore

Publikuar: 22/09/2026

Të gjithë e dinin në Baku, Vlora Hyseni shfaqet në Kosovë dhe dorëzohet te autoritetet

Një kthesë e papritur ka shoqëruar lëvizjet e drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, pas masës së sigurisë të caktuar ndaj saj nga GJKKO.

Gjatë ditës, informacionet ishin se Hyseni ndodhej në Baku të Azerbajxhanit, ku kishte marrë pjesë në Forumin e 4-t të Sigurisë. Prania e saj jashtë vendit ishte edhe arsyeja përse masa e sigurisë nuk mund të ekzekutohej menjëherë nga autoritetet shqiptare.

Por vetëm disa orë më vonë, Hyseni është shfaqur në Kosovë.

Paraprakisht dyshohet se  ajo ka mbërritur në aeroportin e Prishtinës nga Azerbajxhani, ndonëse sipas mediave të Kosovës sot nuk ka pasur urdhëtime nga shteti azer në Prishtinë.

Mësohet se ajo pasdite u është dorëzuar autoriteteve vendase, të cilat më pas e kanë shoqëruar në kufi në Vërmicë duke ja u dorëzuar autoriteteve shqiptare. Në procedurë janë përfshirë edhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët e kanë marrë në shoqërim.

Hysenit i është komunikuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, ndërsa mësohet se shoqërimi i saj drejt Tiranës po kryhet nën masa sigurie.

Itinerari i Hysenit gjatë kësaj të marte merr rëndësi edhe për faktin se në momentin kur në Shqipëri po zhvilloheshin veprimet për ekzekutimin e vendimit të gjykatës, vendndodhja e bërë publike e saj ishte Baku. Vetëm më vonë u mësua se drejtuesja e SHISH kishte mbërritur në Kosovë.

Mbetet për t’u sqaruar koha e saktë kur Hyseni është larguar nga Azerbajxhani, kur ka mbërritur në Kosovë dhe në çfarë momenti autoritetet shqiptare janë informuar për lëvizjen e saj drejt Prishtinës.

GJKKO, me kërkesë të SPAK, caktoi ndaj Hysenit masën e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe pezullimin nga ushtrimi i detyrës.

Pas vendimit reagoi edhe kryeministri Edi Rama, i cili njoftoi lirimin e menjëhershëm të Hysenit nga drejtimi i SHISH dhe deklaroi se do të konsultohej me Presidentin e Republikës për zgjedhjen e drejtuesit të ri të shërbimit.