Një konflikt mes dy nxënësve ka ndodhur paraditen e djeshme në oborrin e një gjimnazi në Krumë të Kukësit, ku një 17-vjeçar ka mbetur i lënduar.
Sipas njoftimit të policisë, gjatë konfliktit, një 17-vjeçar dhe nxënës në të njëjtën klasë me të dëmtuarin, dyshohet se e ka gërvishtur bashkëmoshatarin me një mjet të vogël prerës.
I dëmtuari është transportuar në spital, ku ka marrë ndihmën mjekësore dhe më pas është larguar për në banesë.
“Krumë. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Has referuan materialet në Prokurori, për veprime të mëtejshme, për një 17-vjeçar.
Dje paradite, në oborrin e gjimnazit, në qytetin e Krumës, 17-vjeçari (nxënës) dyshohet se gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka gërvishtur me një mjet të vogël prerës, një bashkëmoshatar (nxënës në të njëjtën klasë), i cili mori mjekim dhe u largua në banesë.
Veprimet janë kryer në prani të prindërve dhe psikologut. Rasti, përveçse ligjërisht, është trajtuar edhe me prindërit e dy të miturve dhe me stafin pedagogjik," njofton policia.
