Prokuroria e Posaçme ka sqaruar kontrollet dhe urdhërarrestet ndaj shefes së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni, si dhe Fatjon Kalluçit, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore.
Mësohet se ata akuzohen për një procedim penal të vitit 2025, si persona të lidhur me biznesmenin kontravers Ergys Agasi.
Konkretisht, për Vlora Hysenin janë caktuar masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
Nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal bëjnë fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, në këtë rast Ergys Agasi, në mënyrë që ai t'i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit, si dhe Zbulimi i akteve ose të dhënave sekrete, dhënia e informacioneve të konsideruara sekret ndaj personave të tretë, sërish në këtë rast Ergys Agasi.
Vlora Hyseni akuzohet për këto dy vepra penale dhe ndaj saj janë caktuar dy masat e sigurisë të mësipërme.
Ndërkohë, shtetasi Fatjon Kalluçi, me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, akuzohet për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal, ndaj për të është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”.
Neni 295/a/1 i Kodit Penal bën fjalë për zbulimin ndaj të tretëve të të dhënave ose ndihma për të zbuluar të dhënat, të cilat ligji i përcakton si sekret, nga ana e një funksionari publik ose e një personi të ngarkuar me një shërbim publik.
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme ka zbardhur akuzën edhe ndaj shtetasit Embro Sulejmani, ndaj të cilit është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Ky nen bën fjalë për Përkrahje të autorit të krimit, me qëllim që t’i shpëtojë kërkimit, kapjes ose arrestimit. Ai dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë të bllokut të vilave qeveritare në Durrës, pasi mendohet se aty ka qëndruar dhe Ergys Agasi gjatë kohës që ishte në arrati.
NJOFTIM PËR SHTYP datë 22 Shtator 2026
SPAK ekzekuton masa të reja sigurimi dhe kontrolle vendesh në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar po kryhen hetime në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr. 67, datë 21.9.2026 ka caktuar këto masa sigurimi:
- “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullim i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, parashikuar nga nenet 237 dhe 242 të Kodit të Procedurës Penale, ndaj shtetases V. H., me detyrë Drejtor i Shërbimit Informativ Shtetëror (SHSH), si person nën hetim për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin F.K., me detyrë “Përgjegjës Sektori” në Institutin të Policisë Shkencore, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1 i Kodit Penal.
- “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale për shtetasin E.S., punonjës i shoqërisë “Agroturizëm Kodra e Kuajve”, si person nën hetim për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2 i Kodit Penal.
Këto vendime i janë dërguar Policisë së Shtetit e cila ka ekzekutuar dy prej tyre.
Me vendimin nr. 618, datë 20.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionit dhe Krimin e Organizuar, ka lejuar kontrollin e banesës dhe kontrollin personal të shtetasit I.P., ish funksionar i lartë i Policisë së Shtetit.
Me vendimin nr. 619, datë 21.9.2026, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lejuar kontrollin e kompleksit të vilave që ndodhen në adresën; kryqëzimi i rrugës “Durrësi në Shekuj” dhe rrugës “Bajram Tusha”, në zonën e Shkozet, Durrës.
Prokuroria e Posaçme falënderon Policinë e Shtetit për mbështetjen në ekzekutimin e këtyre vendimeve.
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.

