Edhe në ditën e shtatë të protestës në mbështetje të katërshes së UÇK-së sheshi “Skëndërbeu” në Prishtinë është mbushur plot me shqiptarët të cilët njëzëri kanë kërkuar lirimin e çlirimtarëve.
Djali i Hashim Thaçit ka ndarë pamje nga protesta e shtatë e mbajtur ditën e sotme në zemër të Prishtinës, si dhe ka falenderuar për mbështetjen e marrë nga shqiptarët, ndërsa thekson se të gjithë së bashku prej një jave kanë dhënë të njëjtin mesazh.
“Shtatë ditë zë, qëndresë dhe vendosmëri. Kur qytetarët bashkohen, mesazhi bëhet më i fortë. UÇK” shkruan Endriti përbri postit të ndarë në protestën e shtatë në Prishtinë.
Sakaq, bëhet me dije se mbrojtjet e ish-krerëve të UÇK-së kanë nisur këtë javë procedurat për apelimin e vendimit. Sipas raportimeve të bëra nga mediat vendase thuhet se avokatët kanë afat deri të premten, më 25 shtator, për të njoftuar gjykatën për pjesët e verdiktit që ata kundërshtojnë.
Mbrojtja ka bërë të ditur se verdikti përmban disa pika që do të kundërshtohen në Apel, veçanërisht ato që lidhen me përgjegjësinë për vrasjet dhe ndalimet e paligjshme, në rrethana kur ndërhyn një palë e tretë, në këtë rast NATO. Ndërkohë, mbrojtjet e viktimave thuhet se ka afat deri më 14 tetor për të paraqitur prova lidhur me dëmshpërblimet, ndërsa Prokuroria ka afat deri më 4 nëntor për të dorëzuar shkresat e saj.

