Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

OpEd

Luan Rama: Jo vetëm në rastin e Drejtores së Shërbimit Informativ të Shtetit, kur kryeministri është edhe president, dhe presidenti ndihmës i kryeministrit

Shkruar nga Newsbomb
Luan Rama: Jo vetëm në rastin e Drejtores së Shërbimit
Luan Rama, autor i ketij artikulli

Nga Luan Rama

I gjendur në hall, e madje në hall të madh, Kryeministri Edi Rama ka nxituar formalisht të na mbushë mendjen se po ndahet me Vlora Hysenin, të cilën vetë e gjeti, vetë e zgjodhi, vetë e mori dhe vetë e solli për të na e emëruar në krye të Shërbimit Informativ të Shtetit.

“Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm…” — kumton Kryeministri, duke kërkuar gjithaq ndjesë, pasi “Për shkak të orareve të ndryshme ky reagim nga Nju Jorku, ku jam për Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, mund të duket i vonuar.”

Kryeministri mund të thotë çfarë të dojë, por ai nuk ka asnjë kompetencë që ta lirojë nga detyra drejtorin (në këtë rast drejtoren) e Shërbimit Informativ Shtetëror.

Ai vetëm mund të propozojë.

Kompetencën për lirimin nga detyra e ka Presidenti i Republikës.

Mirëpo, kur është kështu, pse Kryeministri nxitoi të shpallë ai i pari se “Lirimi nga detyra i drejtores së shërbimit është i menjëhershëm”, e nuk ia la Presidentit të Republikës këtë nder të madh?

Vallë ai nuk e di se neni 5 i ligjit nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar, në versionin e përditësuar që publikon vetë SHISH, dispozita për drejtorin thotë:

“Drejtori i SHISH emërohet e shkarkohet nga Presidenti i Republikës me propozim të Kryeministrit.”?

Apo ndihmësit dhe këshilltarët nuk ia kanë bërë të ditur këtë përcaktim të ligjit?!

Ligji i ka ndarë punët. I ka ndarë edhe përgjegjësitë.

Kryeministri propozon.

Presidenti vendos.

Sipas këtij rendi përgjegjësish, Kryeministri nuk mund të deklarojë si fakt të kryer një vendim që nuk është në kompetencën e tij.

Mirëpo me Kryeministrin tonë ndryshon puna.

Sepse ai është edhe President i Republikës.

Ndërsa Presidenti është vetëm ndihmësi i tij.

Sepse po të ishte ndryshe, pra nëse zoti President nuk do të ishte ndihmës i Kryeministrit, por President i Republikës, që prej mëngjesit kur u bë e ditur se Drejtorja e Shërbimit Informativ të Shtetit është e akuzuar për krime shtetërore dhe se ndaj saj me kërkesë të SPAK-ut dhe me vendim të Gjykatës së Posaçme është vendosur pezullimi nga detyra dhe masa e sigurimit “arrest shtëpie”, do të kishte reaguar, do të kishte mbledhur menjëherë Këshillin e Sigurisë Kombëtare dhe do ta kishte nënshkruar dekretin për lirimin e Vlora Hysenit nga detyra e Drejtores së Shërbimit Informativ Kombëtar, pa pritur as t’i “rregullohet ora me Nju Jorkun” Kryeministrit dhe as të marrë vijësjelljen prej tij!

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese