Historiani Hasan Bello ka ndarë së fundmi në rrjet një video nga varrezat e lagjes së shumënjohur Feriköy në Turqi, aty ku prehet dhe intelektuali shqiptar Sami Frashëri.
Përmes videos së publikuar së fundmi në rrjet, Hasan Bello na zbulon nga afër varrin e të madhit Sami Frashëri, varri i të cilit në 1968 u zhvendos nga varrezat Sahrayıcedid në Erenköy, në varrezat familjare të lagjes së njohur Feriköy.
“Këtu jam tek varri i Sami Frashërit. Faktikisht intelektuali ynë i nderuar ka qenë varrosur në lagjen aziatike të në Varrezat Sahrayıcedid në Erenköy, por në 1968 i biri Ali Sami Yeni, themeluesi i klubit sportiv Galatasaray e ka transportuar, zhvendosur atë në varrezat familjare të lagjes së njohur Feriköy.
Kjo është ndër varrezat më të njohura të Stambollit që ndodhet në një lagje të mbipopulluar dhe sot e kësaj dite këto njihen si varrezat monumentale të këtij qyteti kaq të madh e kaq të populluar të Turqisë” thekson historiani gjatë videos së ndarë së fundmi në rrjet.
Ashtu siç e thekson dhe Hasan Bello në fjalën e tij, i ndrituri Sami Frashëri u varros pranë gruas së tij të parë në Varrezat Sahrayıcedid në Erenköy. Në vitin 1968, me kërkesë të familjes së tij, eshtrat e tij u transferuan në truallin familjar në seksionin 23 të Varrezave Feriköy, pranë djalit të tij, Ali Sami Yen, themeluesit të Klubit Sportiv Galatasaray.
