Zjarri që ra pasditen e sotme në zonën përreth Parkut Arkeologjik të Apolonisë është vënë nën kontroll falë ndërhyrjes nga toka dhe ajri.
Në terren ka qenë edhe ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, i cili ndoqi nga afër operacionin për shuarjen e flakëve. Ai theksoi se mbrojtja e parkut, si një nga pasuritë më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, mbetet prioritet absolut.
Sipas Gonxhes, zjarri nuk ka lidhje me kushtet atmosferike, pasi temperaturat janë të ulëta, por dyshohet se është i shkaktuar nga dora e njeriut. Policia ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve.
"Operacioni për shuarjen e flakëve vazhdon me forca të shtuara. Në temperatura kaq të ulëta një zjarr i tillë nuk ndodh vetvetiu. Bëhet fjalë për gabim njerëzor apo zjarrvënie të qëllimshme. Për fat të mirë, asnjë monument brenda parkut nuk është dëmtuar," deklaroi Gonxhja.
Ministri falenderoi Forcat e Emergjencave Civile, ushtrinë dhe zjarrfikësit për reagimin e shpejtë, si dhe qytetarët që u angazhuan në shuarjen e zjarrit. Ai veçoi shembullin e Andrea Ramës nga Lushnja, një vizitor që konstatoi i pari flakët dhe u bë pjesë e përpjekjeve për t'i neutralizuar.
Gonxhja nënvizoi se pavarësisht se situata me monumentet është e qetë dhe nuk raportohet asnjë dëm në zonën muzeale, shqetësimi mbetet për banesat pranë parkut dhe për masivin e ullinjve dhe pemëve shekullore që i japin vlerë të veçantë kodrës së Apolonisë.
Ndërhyrja në terren vijon për shuarjen e plotë të vatrave të mbetura dhe izolimin e perimetrit, ndërsa pritet që hetimet të përcaktojnë përgjegjësit për zjarrin e dyshuar si të qëllimshëm.
