Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Rajoni

“Si u bë rrëfimi i Albin Kurtit baza e dënimit për Hashim Thaçin në Hagë?”, Lirim Mehmetaj: Dënuan krerët e UÇK-së për rastin e Behajdin Allaqit pa asnjë provë

Shkruar nga Newsbomb
“Si u bë rrëfimi i Albin Kurtit baza e dënimit për
Gazetari Lirim Mehmetaj

Gazetari Lirim Mehmetaj ka publikuar një analizë në Vox Kosova ku hedh dyshime të forta mbi mënyrën se si Gjykata Speciale në Hagë e ka përdorur rastin e Behajdin Allaqit për të dënuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.

Sipas Mehmetajt, në të gjithë aktgjykimin dënues, i vetmi rast konkret i përmendur me emër dhe mbiemër është ai i Behajdin Allaqit, ku pretendohet se Thaçi dhe Veseli e kanë marrë me pranga.

Mehmetaj ngre pyetjen kryesore:

Gjykata jep konstatimin, por nuk tregon asnjë provë mbi të cilën e bazon atë konstatim.

Sipas tij, i gjithë rrëfimi i gjyqtarit Charles Smith për një gjoja konflikt mes Thaçit dhe Allaqit në mbledhjen e LPK-së në Kollarë në vitin 1993, është marrë nga një status në Facebook i Ibrahim Kelmendit.

Mehmetaj sjell dëshminë e Ali Ahmetit, shok i vetë Behajdin Allaqit, i cili ka konfirmuar se në Kollarë nuk ka pasur asnjë përplasje mes tyre. Pra, sipas gazetarit, konflikti i vitit 1993 nuk ka ndodhur kurrë dhe është riprodhuar vite më vonë për nevoja politike.

“Në krejt aktgjykimin dënues për Hashim Thaçin dhe të tjerët, paneli i gjyqtarëve përmendi vetëm një rast konkret me emër dhe mbiemër, rastin e Behajdin Allaqit.

Sipas trupit gjykues, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli e kishin marrë me pranga Behajdin Allaqin. Ky është konstatimi i gjykatës. Problemi është se nuk u dhanë provat që e mbështesin këtë konstatim.

Kur një gjyqtar konstaton diçka, fraza pasuese duhet të jetë shpallja e faktit mbi të cilin mbështetet ajo që u tha. Ne e dimë këtë sepse kemi dëshmitarë që e konstatojnë dhe e konfirmojnë, ose kemi dokument, ose kemi provë. Për shembull, paneli konstatoi se zotëri Thaçi dhe Kadri Veseli e morën Behajdin Allaqin me pranga. Por gjykata nuk tregon se në cilën provë bazohet ky konstatim.

Atëherë si u bind gjykata se Thaçi dhe Veseli janë fajtorë për zhdukjen dhe vrasjen e Allaqit? Nuk u bind asnjëherë, por mori një grumbull thashethemesh nga kundërshtarët politikë dhe ndërtoi një skenar trilleri.

Në aktgjykimin që është publikuar, gjyqtari Charles Smith e fillon rastin e Behajdin Allaqit duke thënë se ky i fundit ishte përfshirë në një mosmarrëveshje me Hashim Thaçin dhe Azem Sylën. E dini ku i kemi dëgjuar këto më parë? Nga shkrime në Facebook, si ai i një personi me emrin Ibrahim Kelmendi. Ai post shkruante: "Në prill 1993 dhe në mbledhjen e katërt të përgjithshme të LPK-së mbajtur në Prishtinë më 26 e 27 korrik 1993. Pikërisht në konsultën e Kollarës ka ndodhur konflikti i parë mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit."

E vërteta është krejt tjetër. Këtë e dëshmon edhe një shok i vetë Behajdin Allaqit, Ali Ahmeti. Në Kollarë nuk ka pasur asnjë përplasje mes Hashim Thaçit dhe Behajdin Allaqit. Pra, përplasja mes Thaçit dhe Allaqit në vitin 1993 nuk ka ndodhur kurrë dhe ishte vetëm riprodhim shumë vite më vonë për nevoja të kohës nga kundërshtarë politikë.

Pjesa tjetër e fjalive të gjyqtarit është kopjim mekanik i shkrimeve në "Bota Sot". Për shembull, ekziston një tekst me titull "Behajdin Allaqin dhe Shaban Shalën i vranë pastaj i zhdukën Thaçi me Kadri Veselin". Dhe në pjesë të tjera, gjyqtarët flasin si dikur kundërshtarët politikë, sikur në një video të Liburn Aliut në Kuvendin e Kosovës.

Në deklarime si këto shohim kalimin e rrëfimit imagjinar nga gazeta konspiracioniste në institucionalizim, kur përmendet edhe në Kuvendin e Kosovës nga një politikan. Çështja është se prapë këtu nuk jepet asgjë konkrete. "E di ai, e di ky". Është shfrazim që nuk tregon gjë, por ngre dyshimin e kërkuar në atë kohë.

Pastaj vazhdohet: "Heshtja e zëvendëskryeministrit që është president në tentativë e bën shumë të dyshimtë këtë person, i cili ka qenë i fundit me Behajdin Allaqin, por nuk tregon se çfarë ka ndodhur me të" - Albin Kurti në Parlamentin e Kosovës.

Tani disa pyetje për Albin Kurtin dhe Liburn Aliun: Prej kujt dhe nga e kanë informacionin se Behajdin Allaqi për herë të fundit u pa me Hashim Thaçin? Kush ua ka treguar atyre që këta po ua përcjellin qytetarëve? Si është e mundur që bëhen akuza për vrasje në parlament pa kurrfarë nevoje të prezantimit të fakteve dhe dëshmive?

Por kjo nuk është pjesa më e çuditshme e deklarimit të Albin Kurtit në Kuvend. Ai thotë diçka tjetër, të cilën fjalë për fjalë e përsërit edhe gjykata kur i dënoi krerët e UÇK-së. Albin Kurti në fjalimin e tij thotë: "Behajdin Allaqi si kokë intelektuale, politike, kombëtare ishte menjëherë pas Ukshin Hotit dhe dihet që drejtimin e luftës e mbajnë koka të tilla, dhe zëvendëskryeministri që është president në tentativë, ngritjen e tij në karrierë e ka pikërisht duke iu falënderuar devijimeve."

Pra, Albin Kurti i kërkon llogari Hashim Thaçit për Allaqin, sepse sipas Kurtit, Thaçi jo veç që u pa i fundit me të, por edhe përfitoi politikisht nga vrasja e Allaqit. Po gjyqtari çfarë tha? E përbashkëta mes Albin Kurtit dhe Charles Smithit është konstatimi identik ku e bëjnë fajtor Thaçin për një vrasje me qëllim të përfitimit politik, por edhe fakti se as Kurti as Smith nuk japin dëshmi, nuk tregojnë se ku vërtetohet informacioni dhe nuk çajnë kokën për të dhënë prova.

Një tjetër përputhje interesante mes Albin Kurtit dhe Prokurorisë Speciale ndodh edhe në vitin 2023. Në vitin 2023, Albin Kurti befasishëm përkujton në faqen e tij në Facebook një person që kurrë më parë nuk e kishte përkujtuar asnjëherë tjetër, veç në vitin 2023. Kurti përkujton Behajdin Allaqin. "Behajdin Allaqin e zhdukën", shkruante Albin Kurti, i sigurt pasi e informuan se rasti i tij gjendet në aktakuzën e ngritur nga Prokuroria Speciale.

Ideja këtu ishte që rasti i Allaqit të bëhej më i njohur për njerëzit, të flitej më shumë, në mënyrë që kur Specialja t'i akuzojë krerët e UÇK-së në Hagë edhe për të, qytetarët në Kosovë ta dinë më mirë se për çfarë bëhet fjalë. Sepse prokuroria, nga të gjitha rastet e përmendura në aktgjykim, i vetmi rast që referohet me emër ishte ky. Pse? Për t'ia rrënuar figurën Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Pra, për të mbjellë kundër tyre irritimin e nevojshëm që kur të vinin dënimet drakonike, ato të priteshin jo me revoltë, por me heshtje.

Se ky ishte plani, u bë e qartë edhe nga reagimi i mbrojtjes. Avokati i Hashim Thaçit tregoi se gjatë procesit në Hagë, gjykata i kishte urdhëruar që për rastin e Allaqit të mos guxonin të flisnin publikisht, të mos përmendej fare gjatë procesit, derisa vetë në vendim e përmendin. Prandaj Hashim Thaçi ka kërkuar përmes avokatit të tij që të bëhen publike të gjitha gjetjet dhe provat mbi të cilat gjykata ka vendosur.

Prova ka, por për të kundërtën. Madje qysh mot, gruaja e Behajdin Allaqit, Nazmie Allaqi, kishte dëshmuar qysh në vitin 2000, më 29 nëntor, se burri i saj ishte zhdukur dhe se ishte marrë nga forcat serbe në fshatin Drenoc.

Behajdin Allaqi mbetet i zhdukur, por për rastin e tij janë dy pyetje që s'zhduken dot më: Si u bë që një gjykatë në zemër të drejtësisë evropiane të dënojë për vrasje pa prova, dhe si ndodhi që Albin Kurti, i cili dikur e akuzonte themelimin e gjykatës për shkak të kompromisit politik, u bë njeriu që dha rrëfimin për dënimin politik të kësaj gjykate.”, thotë gazetari në videon e publikuar.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese