
Disa orë pasi Prokuroria e Posaçme bëri me dije akuzat për të cilat dyshohet në dosjen hetimore të Ergys Agasit, drejtoresha e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni u vetëdorëzua në pikën kufitare të Morinës.
Prej aty, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme mbërriti në drejtorinë e policisë në Tiranë ku i janë komunikuar akuzat që rëndojnë ndaj saj.
Sipas detajeve të raportuara në media, nuk përjashtohet mundësia që Hyseni t’i ketë vënë Ergys Agasit automjetet e saj në dispozicion për të lëvizur gjatë muajve që ka qenë në kërkim nga SPAK.
Gjithashtu mbrëmjen e djeshme, presidenti Bajram Begaj veproi pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama duke dekretuar shkarkimin nga detyra të Hysenit. Kjo e fundit raportohej se ndodhej në Baku, por mediat e Kosovës raportuan se ajo ndodhej aty gjatë gjithë ditës dhe kishte zgjedhur të dorëzohej vetëm në mbrëmje.
Për Hysenin është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” pasi SPAK dyshon se ajo ka kryer veprat penale të ndihmës ndaj Ergys Agasit dhe zbulimit të akteve sekrete. Skandali përfshiu edhe ish-drejtorin e policisë, Ilir Proda në banesën e të cilit u zhvilluan kontrolle pasi emri i tij doli në telefonin e Agasit pas arrestimit të këtij të fundit.
Në pranga ditën e djeshme ra edhe menaxheri i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, Embro Sulejman i cili dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në lokalin e vilave qeveritare ku gjithashtu ishte menaxher dhe ku dyshohet se Agasi hynte e dilte gjatë kohës që ishte në kërkim. Gjithashtu u arrestua edhe Fatjon Kalluçi, shefi i laboratorit shkencor të policisë i cili dyshohet se ishte lidhje e Agasit. Zbulimet e aksionit të SPAK tronditën vendin dhe ngritën pikëpyetje të shumta rreth sigurisë së shtetit në situatën kur një person në kërkim si Ergys Agasi merrte informacione nga vetë drejtoresha e SHISH. Hyseni u bë rasti i parë në botë kur një shefe e SHISH arrestohet në detyrë. Versus.al

