AKTUALITET /

"Në 2 muaj 70 telefonata, Agasi ia refuzoi 28 herë thirrjet"/ SPAK: Mes ish-shefes së SHISH dhe biznesmenit kishte dhe video-call

Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages

Shkruar nga Versus

"Në 2 muaj 70 telefonata, Agasi ia refuzoi 28 herë

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur në dosjen hetimore të dhënat mbi komunikimet mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.

Sipas SPAK, për periudhën nga 28 qershori deri më 26 gusht 2026, ditën e arrestimit të Ergys Agasit, komunikimet mes tyre janë kryer edhe përmes aplikacionit “Signal”.

Në dosje evidentohen 70 thirrje hyrëse nga Vlora Hyseni drejt Ergys Agasit dhe 17 thirrje dalëse nga Agasi drejt Hysenit. Gjithashtu, janë regjistruar 28 thirrje të humbura dhe 25 thirrje pa përgjigje, ku Agasi nuk i është përgjigjur telefonatave të Hysenit.

Por, sipas SPAK, komunikimet mes tyre nuk janë kufizuar vetëm te telefonatat.

“Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar”, thuhet në dosjen hetimore.

Pra, në harkun kohor prej rreth dy muajsh, në aparatin e Agasit janë evidentuar gjithsej 508 forma komunikimi mes tij dhe Hysenit, duke përfshirë telefonata, video-thirrje, mesazhe dhe biseda në aplikacion.

Të dhënat janë administruar nga hetuesit në kuadër të procedimit penal që lidhet me veprimtarinë dhe kontaktet e personave nën hetim.

SPAK i referohet këtyre komunikimeve edhe në raport me deklarimet e Vlora Hysenit, e cila ka pretenduar se marrëdhënia me Agasin ka qenë vetëm zyrtare, në cilësinë e bashkëpunëtorit të SHISH-it.

Ish-drejtoresha e SHISH-it është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa ndaj saj janë ngritur dyshime për zbulim të sekretit hetimor dhe mbështetje të autorit të krimit./Versus.al

Poll