POLITIKË /

“Ka rënë shteti sot o bosa, dini gjë ju?”, debate te ‘Ligjet’ për skandalin e SHISH, Manja: Veprimtari normale

Demokratët kërkuan mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare ndërsa Manja ngulmoi të vijohej me rendin e ditës për Reformën Territoriale.

Shkruar nga Versus
“Ka rënë shteti sot o bosa, dini gjë ju?”, debate te
Deputetët Saimir Korreshi (PD), Ulsi Manja (PS)

Në komisionin për Çështjet Ligjore, deputetët e Partisë Demokratike shprehën indinjatën e tyre për skandalin e bërë publik ditën e djeshme pas aksionit të SPAK që çoi në arrestimin e drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni. Ligjvënësit kërkuan mbledhjen e Kuvendit dhe të Këshillit të Sigurisë Kombëtare.

Deputeti Oerd Bylykbashi tha se “shteti është i krimbur nga koka te këmbët, ndërsa parlamenti flet për seksin e ëngjëjve”.

Kolegu i tij Saimir Korreshi ngriti pikëpyetje për veprimet që duhet të bëjë presidenti Bajram Begaj duke kërkuar mbledhjen e këshillit kombëtar të sigurisë.

“Ky Kuvend a ka ndonjëherë prioritete kur bie siguria kombëtare? Kush e ruan sot shtetin, Baromi dini gjë se ku është se duhet të ishte në këtë sallë. Ju e keni vendosur, pse bëni sikur do na pyesni neve tani. Nuk jemi në kinema këtu, ka rënë shteti këtu o bosa e dini këtë apo jo?”- tha Korreshi.

Nga ana tjetër, kreu i komisionit socialisti Ulsi Manja u përgjigj duke e konsideruar aksionin e djeshëm si ‘veprimtari normale’.

“Nuk besoj se ka projektligj më të rëndësishëm për komisionin tonë sesa ai që kemi për rend dite. Nuk duhet kurrsesi që ne të ulim rëndësinë e këtij komisioni me veprimtarinë normale të institucioneve në një shtet demokratik. Nëse ka sugjerime për rendin e ditës, kolegët mund ta marrin fjalën për procedurë”- u shpreh deputeti. Versus.al

 

Poll