Sali Berisha, gjatë një takimi me simpatizantët e PD, iu rikthye çështjes së urdhër-arrestit të lëshuar nga SPAK ndaj drejtoreshës së Shërbimit Informativ Shtetëror, Vlora Hyseni.
Berisha e cilësoi Hysenin si “shërbëtore të krimit” dhe pretendoi se drejtoresha e SPAK u ka vënë në dispozicion grupeve kriminale pajisje për regjistrime dhe filmime, të blera me paratë e taksapaguesve shqiptarë.
“Çdo ditë dalin dëshmitë më rrënqethëse se si kurrë më parë shqiptarët sot janë në pushtimin e krimit, të një regjimi kriminal. Del se kreu i SHISH që ka detyrë më kryesore sigurinë kombëtare, sigurinë e gjithanshme, është një ushtare e shpifur e krimit të organizuar. I jepte bandave dhe krimit të gjitha mjetet që bliheshin me taksat tuaja të regjistrimeve, të filmimeve, të survejimeve, për ata që kërcënonin rrezikun”, tha Berisha.
Gjatë fjalës së tij, kreu i PD-së komentoi edhe kontrollet e kryera në banesën e ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda. Sipas Berishës, gjatë kontrolleve në banesë është gjetur një snajper “super-special”.
“Ish-drejtori i Policisë që iu kontrollua banesa, gjendet me snajper super special në banesë, i blerë në funksion të sigurisë së qytetarëve, por kurrë për një person të caktuar. Një gjë do t’u them, se çdo gjë që keni dëgjuar dhe do dëgjoni për Belinda Ballukun, për Vlora Hysenin, për Ermal Beqirin, Ergys Agasin, në mënyrë absolute të gjitha janë bërë nën urdhrat e Edi Ramës. Asnjë prej tyre nuk është bërë pa urdhrin e tij. Shqiptarët do mësojnë shumë e shumë gjëra të tjera, nga aktet e shëmtuara kriminale të kësaj bande. Para saj ne jemi forca politike me detyrim madhor të shpëtojmë vendin”,shtoi kryedemokrati.














