
Ligjvënësit demokratë u paraqitën në komisionin për Çështjet Ligjore ku kërkuan mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Sigurisë pas skandalit të SHISH. Megjithatë kreu i komisionit, Ulsi Manja kërkoi vazhdimisht që të merreshin me prezantimin e projektligjit për Reformën Territoriale.
Pasi deputetët e PD vendosën të dilnin nga salla, Manja shpërtheu në kritika drejt tyre duke thënë se nuk kishin hallin e njerëzve. Sipas tij, fakti që ata flasin për skandalin që tronditi shtetin, është "baltosje" për Shqipërinë.
“Nuk ka diskutim më të rëndësishëm sot për këtë komision dhe për politikën në Shqipëri sese projektligji për ndarjen administrative territoriale. Ky është halli i qytetarëve. Ne po bëjmë një Reformë Administrative, sigurisht ka patur mendime pro dhe kundra. Çdo gjë tjetër pastaj është politikë. Veprimet e institucioneve të drejtësisë nuk mund të përkthehen baltë mbi Shqipërinë dhe kjo ishte ajo që u bë sot. Halli i Reformës ishte i fundit qytetarë, nuk e kanë hallin tek ju. Do doja të ishin këtu prezent dhe të dëgjonin fjalët e mia. Balta mbi Shqipërinë se institucionet e shtetit bëjnë detyrën, është e pafalshme. Kjo opozitë po hedh baltë mbi imazhin e Shqipërisë dhe në rrugën drejt anëtarësimit në BE”- tha Manja duke shtuar ‘'ne do vazhdojmë përpara’' ndërkohë që SPAK po nxjerr në dritë skandale të njëpasnjëshme. Versus.al


