
Një ngjarje e rëndë ka tronditur komunitetin brazilian në Francë.
Mediat e huaja shkruajnë se, Larissa Brito, 25 vjeçe, me origjinë nga São Paulo, u gjet e pajetë në bagazhin e një makine, gjatë një kontrolli doganor në autostradën A8, pranë Brignoles.
Trupi i së resë ishte fshehur nën çarçafë plastikë dhe një grumbull rrobash. Për ngjarjen është arrestuar një 29-vjeçar me origjinë algjeriane, i cili, sipas hetimeve paraprake, kishte pasur një lidhje dashurie me Larissën.
25-vjeçarja jetonte në Nice, në Rue Lenval, pranë spitalit pediatrik. Hetuesit po përpiqen të rindërtojnë ditët e fundit të jetës së saj dhe të përcaktojnë se ku dhe në çfarë rrethanash ka ndodhur vrasja.
Sipas medias braziliane FBTV News, e cila mbulon komunitetin brazilian në Evropë, Larissa ishte njohur me të arrestuarin rreth një vit më parë dhe kishte pasur një marrëdhënie me të. Sipas dëshmive të mbledhura nga miqtë e saj, lidhja kishte përfunduar pas një episodi dhune, për të cilin burri kishte përfunduar në burg.
Pas lirimit të tij, ai dyshohet se kishte rifilluar të kërkonte Larissën. Sipas miqve të saj, e reja u kishte shprehur shqetësimin se ish-partneri po e ndiqte dhe po e kërkonte sërish.
Megjithatë, këto detaje nuk janë konfirmuar zyrtarisht nga Prokuroria e Nicës, ndërsa hetimi ndodhet ende në fazat e para.
Vëmendja e hetuesve është përqendruar edhe në apartamentin ku jetonte 25-vjeçarja në Rue Lenval. Në derën e banesës është vendosur një vulë e policisë franceze me shënimin “Meurtre” – “Vrasje”.
Ndërkohë, familja e Larissës në Brazil po përpiqet të sigurojë fondet e nevojshme për riatdhesimin e trupit të saj në São Paulo, ku dëshiron ta varrosë.
Nëna e 25-vjeçares, e kontaktuar nga FBTV, ka reaguar me zemërim pas lajmit për vdekjen e së bijës. Në një mesazh të shkurtër ajo shkroi: “Publikoni foton e këtij vrasësi.”
Hetuesit francezë vijojnë punën për të përcaktuar autorësinë, motivin dhe rrethanat e sakta të vdekjes së Larissa Britos./Versus.al

