
Kryedemokrati Sali Berisha mblodhi sot grupin parlamentar të PD pas skandalit të dalë dje me arrestimin e drejtueses së SHISH, Vlora Hyseni. Sot u publikuan edhe mesazhe mes Agasit dhe Hysenit. Duke iu referuar këtyre të fundit, Berisha tha se Agasi kishte bërë planet se kush do ishte kryetar parlamenti.
Për të gjitha këto zhvillime rreth skandalit, Berisha kërkoi dorëheqjen e Ramës dhe ndërtimin e një qeverie legjitime.
"Ndaj dhe kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit si akt i vetëm dhe i domosdoshëm. Parlamenti, këtë çështje, do ta ketë çështjen më kryesore. A e lexuat ju aty planin për të hequr Nikon edhe për të vënë Taulantin? Kur ia thashë atij, ai është pallavesh, kur ia thashë atij që po të heqin, ai tha e ke nga inati, do më fusësh sherre mua këtu. A e patë? I bënte Gysi planet se kush duhet të jetë kryetar parlamenti, duhet të jetë Tao. Mbase më shkau goja pak, po edhe meriton se ai Niko është problematik në vetvete, po prapë donin ta hiqnin. Pra, do të jetë çështja më kryesore. Natyrisht, të jemi realistë, këtu nuk ka më legjitimitet dhe ne duhet të ndërtojmë të gjithë punën tonë për një Shqipëri, për një qeveri legjitime, legale.
Duhet të vazhdojmë betejën tonë kundër narkoshtetit. Por një gjë duhet ta kemi shumë të qartë, me partnerët tanë ne me durim duhet të paraqesim këtë dramë të madhe që zhvillohet në Shqipëri"- tha Berisha. Versus.al

