Ivan Balliu ka pësuar një dëmtim në kyçin e këmbës gjatë ndeshjes së fundit të Rayo Vallecanos në transfertën ndaj Osasunës.
Mbrojtësi i Kombëtares shqiptare i është nënshtruar një rezonance magnetike, e cila ka evidentuar dëmtimin në kyçin e këmbës. Pas ekzaminimeve, Balliu ka nisur programin e rehabilitimit pranë klubit të tij.
Situata e mbrojtësit po ndiqet nga afër edhe nga stafi mjekësor i Kombëtares. Mjekët kuqezi janë në komunikim të vazhdueshëm me homologët e Rayo Vallecanos për të monitoruar gjendjen dhe ecurinë e rikuperimit të lojtarit.
Pjesëmarrja e Balliut në ndeshjet e ardhshme të Kombëtares mbetet ende në pikëpyetje. Nëse gjendja e tij përmirësohet gjatë ditëve në vijim, ai pritet t’i bashkohet grupit të lojtarëve të grumbulluar nga trajneri Maran.
Gjithçka do të varet nga ecuria e rehabilitimit dhe gjendja e kyçit të këmbës në ditët në vijim. Për momentin, stafi i Kombëtares po pret zhvillimet e radhës për të mësuar nëse mbrojtësi do të jetë në dispozicion për sfidën ndaj Bjellorusisë.


