
Një punonjës i Policisë së Shtetit është ndaluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), pasi dyshohet për ushtrim të dhunës në familje.
Drejtoria Rajonale e AMP-së Kukës-Dibër, në drejtimin e Prokurorisë së Dibrës, ka ndaluar inspektorin me inicialet A.P., me detyrë Oficer i Patrullës së Përgjithshme në Seksionin e Rendit Publik, në Stacionin e Policisë Klos, në varësi të Komisariatit të Policisë Mat.
Ndalimi i tij është kryer në kuadër të hetimeve për veprën penale “Dhuna në familje”, të parashikuar nga neni 130/a/4 i Kodit Penal.
Sipas kallëzimit, efektivi dyshohet se në mënyrë të vazhdueshme ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj kallëzueses. Po ashtu, ai dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike edhe ndaj vëllait të mitur të saj.
Pas kryerjes së veprimeve të para hetimore, materialet procedurale i janë dërguar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër.
Hetimet për rastin vijojnë për dokumentimin e plotë të rrethanave dhe përgjegjësisë së personit nën hetim./Versus.al

