Çfarë do të gjeni në brendësi
*Mbi 500 mesazhe në 2 muaj janë shkëmbyer mes shefes së SHISH Vlora Hyseni dhe biznesmenit Ergys Agasi, i arrestuar nga SPAK. Skandali i zbuluar dje në Shërbimin Informativ Shtetëror ka tronditur themelet e shtetit shqiptar duke ngritur dyshime mbi zyrtarët të cilët kanë patur në dorë postet më të larta kyçe në vend. *Detajet e siguruara nga mediat, kanë zbuluar disa prej komunikimeve mes tyre, ku Vlora Hyseni shihet shumë e afërt me Agasin, madje duke u identifikuar dhe vetë me telashet e tij me drejtësinë. *SPAK thotë se ishte Ergys Agasi që kërkonte informacione sekrete nga kreu i SHISH, madje Hyseni e informonte atë edhe për takimet me kryeministrin Edi Rama. * Dokumentet sekrete të nxjerra nga SHISH u gjetën nga policia në makinën e Ergys Agasit. Ai pranoi se i kishte lënë qëllimisht në mënyrë që SPAK t’i gjente kur të shkonte për kontrolle. *Pas pezullimit të Hysenit, në vend të saj u delegua Elvis Lila i cili do të drejtojë institucionin deri në emërimin e një personi tjetër. Ditën e enjte në mesditë ish-shefja e SHISH do të pyetet në GJKKO për akuzat, ndër të cilat dhe nxjerrja e materialeve sekrete
"Në 2 muaj 70 telefonata, Agasi ia refuzoi 28 herë thirrjet"/ SPAK: Mes ish-shefes së SHISH dhe biznesmenit kishte dhe video-call

Prokuroria e Posaçme ka zbardhur në dosjen hetimore të dhënat mbi komunikimet mes biznesmenit Ergys Agasi dhe ish-drejtoreshës së Shërbimit Informativ të Shtetit, Vlora Hyseni.
Sipas SPAK, për periudhën nga 28 qershori deri më 26 gusht 2026, ditën e arrestimit të Ergys Agasit, komunikimet mes tyre janë kryer edhe përmes aplikacionit “Signal”.
Në dosje evidentohen 70 thirrje hyrëse nga Vlora Hyseni drejt Ergys Agasit dhe 17 thirrje dalëse nga Agasi drejt Hysenit. Gjithashtu, janë regjistruar 28 thirrje të humbura dhe 25 thirrje pa përgjigje, ku Agasi nuk i është përgjigjur telefonatave të Hysenit.
Por, sipas SPAK, komunikimet mes tyre nuk janë kufizuar vetëm te telefonatat.
“Në lidhje me komunikimet ndërmjet Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit, të ruajtura në funksionin BIOME të aparatit telefonik të shtetasit Ergys Agasi janë të ruajtura gjithsej 508 forma komunikimi, calls, voice, video calls, messages, chat messages, ndërmjet këtyre dy shtetasve për periudhën e sipër-cituar”, thuhet në dosjen hetimore.
Pra, në harkun kohor prej rreth dy muajsh, në aparatin e Agasit janë evidentuar gjithsej 508 forma komunikimi mes tij dhe Hysenit, duke përfshirë telefonata, video-thirrje, mesazhe dhe biseda në aplikacion.
Të dhënat janë administruar nga hetuesit në kuadër të procedimit penal që lidhet me veprimtarinë dhe kontaktet e personave nën hetim.
SPAK i referohet këtyre komunikimeve edhe në raport me deklarimet e Vlora Hysenit, e cila ka pretenduar se marrëdhënia me Agasin ka qenë vetëm zyrtare, në cilësinë e bashkëpunëtorit të SHISH-it.
Ish-drejtoresha e SHISH-it është nën hetim nga Prokuroria e Posaçme, ndërsa ndaj saj janë ngritur dyshime për zbulim të sekretit hetimor dhe mbështetje të autorit të krimit./Versus.al
GJKKO merr në pyetje nesër ish-shefen e SHISH Vlora Hyseni, Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka depozituar në gjykatë kërkesat për marrjen në pyetje të tre personave nën hetim në kuadër të procedimit penal nr. 20/1 të vitit 2025.
Bëhet fjalë për Vlora Hysenin, ndaj së cilës është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi”, si dhe Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin, të cilët ndodhen në masën “arrest në burg”.
Sipas njoftimit të SPAK, kërkesat janë paraqitur pranë gjykatës më 23 shtator 2026, ndërsa seancat për marrjen në pyetje janë caktuar për ditën e enjte, më 24 shtator.
Për Fatjon Kalluçin dhe Embro Sulejmanin, seanca do të zhvillohet në orën 09:00, ndërsa për Vlora Hysenin seanca është caktuar në orën 12:00.
Vlora Hyseni dyshohet për veprat penale të parashikuara nga nenet 302/2 dhe 295/a/1 të Kodit Penal. Fatjon Kalluçi dyshohet për veprën penale të parashikuar nga neni 295/a/1, ndërsa Embro Sulejmani për veprën penale të parashikuar nga neni 302/2.
SPAK thekson se njoftimi bëhet nisur nga interesi i lartë publik dhe mediatik që ka procedimi penal në fjalë.
Marrja në pyetje e personave nën hetim do të zhvillohet në kuadër të procedurës gjyqësore për masat e sigurimit të vendosura ndaj tyre.
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt. Do ia hedhim, problemi është koha”, si e identifikonte veten Vlora Hyseni me problemin e Ergys Agasit me drejtësinë

Ndër 500 mesazhet në celular përmes aplikacionit Signal, që Ergys Agasi dhe ish-shefja e SHISH, Vlora Hysnei kanë shkëmbyer së bashku nga fundi i muajit qershor deri më 26 gusht kur ai u arrestua, është dhe mesazhi i fundit 4 ditë pas arrestimit, ku Hyseni e ngushëllon se gjërat do të përmirësohen.
Këto biseda sipas prokurorëve Altin Dumani dhe Bledar Maksuti tregojnë një lidhje shumë më të afërt sesa, siç e cilësojnë ata, me një “të ashtuquajtur bashkëpunëtor”.
“Na kanë bërë shumë gjëra o shpirt. Do ia hedhim, problemi është koha”, shkruan Hyseni, duke përfshirë dhe veten në cështjen e ngritur nga SPAK ndaj Ergys Agasit.
Të dy duket se kishin komunikim të vazhdueshëm, të përditshëm, të tejzgjatur në kohë, sipas prokurorëve të posaçëm, duke përfshirë qindra telefonata me videocall apo mesazhe ku shkëmbenin foto dhe video.
Prokuroria e Posaçme thotë se ishte Agasi ai që kërkonte informacione dhe i diktonte ato që i duheshin, dhe jo Hyseni. Vetë Ergys Agasi e pranoi se dokumentet sekrete i kishte lënë me qëllim në makinën e tij, në mënyrë që SPAK t’i gjente kur të shkonte për kontrolle, siç dhe ndodhi.
Kreu i SHISH kur u pyet në mes të shtatorit, nuk e kishte një shpjegim për këto materiale të dala jashtë institucionit, duke thënë se do të kthente një përgjigje konfidenciale me shkrim.
Sipas SPAK, në kundërshtim flagrant me detyrën, Vlora Hyseni i jepte informacione dhe detaje për aktivitetin e saj si kreu i SHISH.
Në disa raste për takimet me Kryeministrin Rama në zyrë apo edhe takime të tjera sensitive. Për të gjitha këto kontakte evidenton SPAK, Hyseni nuk kishte njoftuar asnjë institucion, jashtë apo brenda SHISH, edhe pse pretendon se e kishte ‘rekrutuar’ si informator të shërbimit./Versus.al
"Të shpresojmë se ka porosit km", Vlora Hyseni informonte Agasin për takimet me Ramën

Ndër komunikimet e zbardhura mes biznesmenit të arrestuar Ergys Agasi dhe drejtoreshës së shkarkuar, Vlora Hyseni flitet edhe për informacione të nivelit të lartë.
Shefja e SHISH e informonte Agasin për agjendën e saj duke i zbuluar edhe se kur takohej me kryeministrin Edi Rama.
“Nesër duhet ta takoj km ne 8:30″, i shkruante Hyseni Agasit duke i dhënë më tej detaje edhe për takimet me palë ndërkombëtare.
Sërish në një prej komunikimeve Hyseni i përmedn Agasit kryeministrin duke i thënë se drejtori i policisë e kishte thirrur për takim dhe se shpresonte se e kishte porositur kryeministri.
“Skënderi më thirri me u taku të hënën … Te shpresojmë që ka porosit km…”, shkruan Hyseni në mesazhin dërguar Ergys Agasit. Versus.al
Shkarkimi i Vlora Hysenit pas skandalit, Elvis Lila e zëvendëson përkohësisht në krye të SHISH

Pas furtunës së shkaktuar dje në Shërbimin Informativ Shtetëror me aksionin e SPAK që solli arrest shtëpiak për drejtoreshën Vlora Hyseni, kompetencat e kësaj të fundit i janë deleguar përkohësisht Elvis Lilës.
Kryeministri Edi Rama njoftoi dje se sapo të kthehet nga SHBA do të emërojë drejtuesin e ri të SHISH.
Ndërsa Hyseni u pezullua nga detyra me urdhër të SPAK dhe u vendos nën arrest shtëpie nën dyshimet se ka ndihmuar Ergys Agasin dhe i ka zbuluar këtij të fundit informacione sekrete. Versus.al
"Kush na e bëri këtë, duhet të paguajë", mesazhet e Hysenit ndaj Agasit, SPAK: Ishin kundër nesh

Komunikime të tjera mes Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit kanë dalë në dritë pas detajeve të siguruara nga dosja hetimore e SPAK për skandalin që tronditi Shërbimin Informativ Shtetëror.
“Kush na e bëri këtë duhet të paguajë”, mësohet se i ka shkruar Hyseni Agasit në një prej qindra mesazheve me foto e video mes tyre.
Sipas SPAK, këto mesazhe tregonin qëndrim kundër organeve të drejtësisë. Ndërsa më 18 shtator, Hyseni kishte dëshmuar në SPAK se kishte komunikuar me biznesmenin Agasi me justifikimin se ky i fundit ishte bashkëpunëtor i SHISH. Por SPAK thotë se askush brenda e jashtë SHISH nuk ishte njoftuar për një pretendim të tillë të drejtoreshës. Versus.al
"Do përfundojmë keq shpirt", zbardhen komunikimet mes Agasit dhe Hysenit, dyshohet dhe për lidhje intime mes tyre
Zbardhen komunikimet mes Vlora Hysenit me Ergys Agasin. SPAK dyshon se mes tyre ka patur lidhje personale dhe komunikime të vazhdueshme.
Prokuroria e Posaçme gjatë hetimeve për skandalin e SHISH ka dyshime se mes Ergys Agasit dhe Vlora Hysenit ka patur lidhje personale me komunikime të vazhdueshme.
"Zemër, thjesht duhet të koncentrohemi te halli jot të gjithë ne” dhe “Do përfundojmë keq, shpirt”- janë disa prej mesazheve të Hysenit drejt Agasit.
Drejtoresha e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni përtej lidhjes personale, përfshihet në çështjen penale që ka Ergys Agasi dhe shfaq gatishmëri për ta ndihmuar atë duke vënë në dispozicion edhe cilësitë e saj zyrtare dhe kapacitetet institucionale që drejtonte.
Sipas informacioneve të Versus.al, në automjetin e sekuestruar të Ergys Agasit në Equos Resort, janë gjetur disa materiale të cilat dyshohet se ishin te Sherbimit Informativ të Shtetit.
Mësohet se javën e kaluar, SPAK ka marrë në pyetje Vlora Hysenin, ku kjo e fundit ka pranuar se ka patur konunikime me Ergys Agasin dhe se prej tij ka marrë informacione të lidhura me Shërbimin Informativ të Shtetit.
Megjithatë ka mohuar të ketë takuar fizikisht këtë të fundit , apo të ketë bashkëpunuar me të. Versus.al
"Rastësia e çuditshme"/ Dy ditë para emërimit të Hysenit, Agasi themeloi me 1 mijë lekë kompaninë që mori miliona tek AKSHI
Zhvillimet e reja rreth aksionit të djeshëm të SPAK që tronditi vendin pasi për herë të parë në histori u arrestua në detyrë shefja e shërbimit të inteligjencës, vijojnë të nxjerrin detaje të reja rreth lidhjes së Agasit me institucionin e SHISH.
Së fundmi, është vënë re një rastësi e dyshimtë që lidh Agasin me Vlora Hysenin, shefen e shkarkuar nga SHISH e cila aktualisht ndodhet nën arrest shtëpiak. Me 15 mars të vitit 2023, Ergys Agasi themeloi kompaninë “EA Solution” me një kapital prej 1 mijë lekësh dhe veprimtari të orientuar totalisht drejt informatikës.

Vetëm dy ditë më vonë më 17 mars të atij viti, Rama njoftoi se kishte propozuar emrin e Vlora Hysenit për drejtimin e SHISH, propozim që u dekretua nga presidenti Bajram Begaj më 3 prill.
Kur kanë kaluar mbi 3 vite nga kjo datë, dje SPAK bëri publike të dhëna tronditëse që ngrenë dyshimet se Agasi dhe Hyseni janë në të njëjtën linjë hetimi sa i takon sistemit të tenderave të AKSHI-t ku kompania e Agasit përfitoi me miliona euro duke bashkëpunuar me Ermal Beqirajn dhe drejtoreshën e AKSHI-t Mirlinda Karçanaj. Kompania e biznesmenit kontravers e themeluar me 1 mijë lekë, nisi menjëherë të merrte tendera shtetërorë me vlera të majme.
Sa i takon “rastësisë së çuditshme” të propozimit të Hysenit dhe Agasit ka shumë dritëhije që nxisin dyshime të ndryshme. Karçanaj ndodhej më herët në Tiranë si këshilltare e Ramës dhe sigurisht që mendimi për të propozuar emrin e saj në krye të SHISH nuk mund të ketë lindur pikërisht në mëngjesin e 17 marsit. Duke qenë se sipas SPAK Hyseni ka ndihmuar Agasin gjatë kohës së tij në kërkim, njohja mes tyre mund të ketë lindur shumë më herët. Versus.al
U vetëdorëzua në kufi, Vlora Hysenit i komunikohen akuzat në polici! Dyshohet se Agasi lëvizte me makinën e saj

Disa orë pasi Prokuroria e Posaçme bëri me dije akuzat për të cilat dyshohet në dosjen hetimore të Ergys Agasit, drejtoresha e shkarkuar e SHISH, Vlora Hyseni u vetëdorëzua në pikën kufitare të Morinës.
Prej aty, rreth orës 22:00 të mbrëmjes së djeshme mbërriti në drejtorinë e policisë në Tiranë ku i janë komunikuar akuzat që rëndojnë ndaj saj.
Sipas detajeve të raportuara në media, nuk përjashtohet mundësia që Hyseni t’i ketë vënë Ergys Agasit automjetet e saj në dispozicion për të lëvizur gjatë muajve që ka qenë në kërkim nga SPAK.
Gjithashtu mbrëmjen e djeshme, presidenti Bajram Begaj veproi pas urdhrit të kryeministrit Edi Rama duke dekretuar shkarkimin nga detyra të Hysenit. Kjo e fundit raportohej se ndodhej në Baku, por mediat e Kosovës raportuan se ajo ndodhej aty gjatë gjithë ditës dhe kishte zgjedhur të dorëzohej vetëm në mbrëmje.
Për Hysenin është caktuar masa e sigurisë “arrest në shtëpi” pasi SPAK dyshon se ajo ka kryer veprat penale të ndihmës ndaj Ergys Agasit dhe zbulimit të akteve sekrete. Skandali përfshiu edhe ish-drejtorin e policisë, Ilir Proda në banesën e të cilit u zhvilluan kontrolle pasi emri i tij doli në telefonin e Agasit pas arrestimit të këtij të fundit.
Në pranga ditën e djeshme ra edhe menaxheri i agroturizmit “Kodra e Kuajve”, Embro Sulejman i cili dyshohet se ka fshirë pamjet e kamerave të sigurisë në lokalin e vilave qeveritare ku gjithashtu ishte menaxher dhe ku dyshohet se Agasi hynte e dilte gjatë kohës që ishte në kërkim. Gjithashtu u arrestua edhe Fatjon Kalluçi, shefi i laboratorit shkencor të policisë i cili dyshohet se ishte lidhje e Agasit. Zbulimet e aksionit të SPAK tronditën vendin dhe ngritën pikëpyetje të shumta rreth sigurisë së shtetit në situatën kur një person në kërkim si Ergys Agasi merrte informacione nga vetë drejtoresha e SHISH. Hyseni u bë rasti i parë në botë kur një shefe e SHISH arrestohet në detyrë. Versus.al

