
Banka e Shqipërisë vlerëson se sektori bankar në vend paraqitet në gjendje të qëndrueshme, por paralajmëron për rreziqe që kërkojnë monitorim të vazhdueshëm, veçanërisht ekspozimin ndaj pasurive të paluajtshme dhe sulmeve kibernetike.
Klodian Shehu, Drejtor i Departamentit të Stabilitetit Financiar në Bankën e Shqipërisë, tha se zhvillimet në tregun e brendshëm kërkojnë kujdes, pavarësisht se situata aktualisht është nën kontroll.
“Për sa i përket tregut të brendshëm, kemi në njëfarë mënyre kujdes të ekspozimit të sektorit bankar ndaj pasurive të paluajtshme. Bankat gjithashtu evidentojnë si rrezik të mundshëm ekspozimin ndaj sulmeve kibernetike. Megjithatë, gjithçka është e kontrolluar”, u shpreh Shehu.
Sipas tij, cilësia e kredisë vijon të jetë në nivele të mira. Në fund të gjashtëmujorit, kreditë me probleme përbënin 3.6% të totalit.
Ndërkohë, luhatjet në tregjet ndërkombëtare dhe pasiguritë e krijuara nga tensionet gjeopolitike dhe tregtare, përfshirë luftën e tarifave të presidentit amerikan Donald Trump, kanë ndikuar në bursat botërore. Megjithatë, sipas Bankës së Shqipërisë, deri tani sistemi financiar shqiptar po e përballon mirë këtë situatë.
“Në përgjithësi, rreziqet ndaj të cilave ekspozohet veprimtaria e sektorit bankar paraqiten në nivele të kontrolluara. Rreziqet lidhen me zhvillimet ndërkombëtare dhe ato janë të pasigurta, që lidhen me tensionet gjeopolitike dhe tregtare. Megjithatë, performanca e ekonomisë shqiptare ka qenë e mirë, pavarësisht këtyre zhvillimeve”, deklaroi Shehu.

