
Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Enea Karakaçi, ka deklaruar se projektet infrastrukturore të lidhura me Korridorin VIII dhe Korridorin Adriatiko-Jonian po avancojnë, ndërsa disa prej tyre kanë hyrë në fazën përmbyllëse të garave.
Karakaçi bëri të ditur se gara për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë është drejt përfundimit dhe brenda muajit nëntor pritet të shpallet kompania fituese.
“Për sa i përket Korridorit VIII, tashmë është në përmbyllje gara për hekurudhën Durrës-Rrogozhinë dhe brenda muajit nëntor pritet shpallja e fituesit”, tha ministri.
Ai shtoi se vijon puna për zgjerimin e korridorit Elbasan-Qafë Thanë, ndërsa segmentet e para të bypass-it të Elbasanit janë kontraktuar dhe kanë nisur punimet.
Sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, Karakaçi deklaroi se është drejt përfundimit edhe gara për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Investimi kap vlerën rreth 360 milionë euro dhe punimet pritet të nisin në fillim të vitit 2027.
“Për sa i përket Korridorit Adriatiko-Jonian, edhe këtu jemi në fazën përmbyllëse të garës për ndërtimin e hekurudhës Vorë-Hani i Hotit. Investim rreth 360 milionë euro që pritet të fillojë nga ndërtimi në fillim të vitit 2027”, deklaroi Karakaçi.
Ministri foli edhe për autostradën Adriatiko-Joniane, duke u ndalur te segmenti Murriqan-Balldren, për të cilin po përgatitet studimi inxhinierik me fonde grant nga Bashkimi Europian. Dokumenti pritet t’i dorëzohet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë në janar 2027.
Ndërkohë, sipas Karakaçit, vijon puna për finalizimin e kontratës për autostradën Milot-Balldren dhe për projektin teknik përfundimtar.
Në kushtet e diskutimeve të fundit rreth projektit, ministri tha se dokumentacioni do të publikohet në platformën “Flamingo Mirror”, me qëllim që të mundësohet verifikimi nga të interesuarit./Versus.al

