AKTUALITET /

Kallas takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiç në OKB: Progresi në dialogun Kosovë-Serbi, kusht për integrimin në BE!

Pas takimeve, Kallas ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, ku ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Shkruar nga Versus

Kallas takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiç në OKB:

Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, ka zhvilluar takime të ndara me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në kuadër të punimeve të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Në fokus të takimeve ka qenë procesi i normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe nevoja për avancimin e dialogut mes dy vendeve.

Pas takimeve, Kallas ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social X, ku ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të ecë paralelisht me rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

“Progresi në normalizimin e marrëdhënieve dhe avancimi në rrugën drejt BE-së duhet të shkojnë dorë për dore”, shkroi Kallas.

Ajo theksoi se marrëveshjet e arritura përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme.

“Marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, veçanërisht Marrëveshja e Ohrit, janë të detyrueshme. Zbatimi i tyre nuk është një nder për Brukselin, por i detyrohet qytetarëve të tyre dhe një rajoni që pret marrëdhënie normale”, u shpreh ajo.

Kallas deklaroi se Bashkimi Evropian do të vijojë të luajë rolin e tij në procesin e dialogut, ndërsa nënvizoi se ndërmjetësimi nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik të palëve.

“BE-ja do të vazhdojë të jetë një arbitër i paanshëm. Por lehtësimi nuk mund të zëvendësojë vullnetin politik në Beograd dhe Prishtinë. Është koha për të ecur përpara”, përfundoi Kallas./Versus.al

Poll